Lidhje

Presidenti Bush për sistemin e mbrojtjes nga raketat - 2001-05-02


Kur të jemi gati, në bashkëpunim me Kongresin, ne do të dislokojmë një sistem të mbrojtjes nga raketat për të forcuar sigurinë dhe qëndrushmërinë globale, tha dje presidenti Bush duke folur në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Ft. McNair.

Vetëm pak orë para këtij fjalimi të rëndësishëm mbi strategjinë e sigurisë kombëtare, presidenti Bush kontaktoi presidentin rus Vladimir Putin. Biseda telefonike 12 minutëshe kishte për qëllim ta njihte udhëheqësin rus me arsyet përse presidenti Bush po vë në zbatim planet për një sistem të mbrojtjes nga raketat, të cilin Rusia e kundërshton. Rusia e sotme nuk është Bashkimi Sovjetik i djeshëm. Qeveria e saj nuk është më komuniste. Presidenti i saj zgjidhet. Rusia e sotme nuk është armiku ynë, tha Presidenti Bush.

Presidenti tha se “muri” është rrëzuar dhe perdja e hekurt nuk ekziston më. Bota jonë, tha presidenti, është më e pasigurt, më e paparashikueshme. Më shumë vende kanë armë bërthamore si dhe aspirata në këtë drejtim. Ndryshe nga lufta e ftohtë, kërcënimet më urgjente sot e kanë zanafillën jo tek mijëra raketat që kishin në duar sovjetikët, por tek numri i vogël i raketave që ndodhen në duart e atyre shteteve për të cilët terrori dhe shantazhi janë mënyrë jetese, tha presidenti.

Presidenti Bush theksoi nevojën e distancimit të Shteteve të Bashkuara nga strategjia e luftës së ftohtë, që mbështetej në stoqe të mëdha armësh bërthamore: Ne duhet të përpiqemi për sigurinë jo më nga premisa se mund t’i shkatërrojmë ata që kërcënojnë të na shkatërrojnë ne. Bota ka përpara mundësinë për të ri-menduar të paimagjinueshmen dhe për të gjetur mënyra të reja për të ruajtur paqen, tha presidenti Bush.

Ai nuk bëri të ditur ndonjë afat kohor për dislokimin e sistemit, apo koston që shoqërohet me të, por tha se Shtetet e Bashkuara do të shqyrtojnë të gjitha alternativat. Përveç Rusisë, planet për sistemin e mbrojtjes nga raketat kundërshtohen nga Kina dhe nga disa aleatë të rëndësishëm evropianë, të cilët i tremben një gare të re armatimesh.

Por Shtëpia e Bardhë thotë se lufta e ftohtë ka marrë fund dhe se Shtetet e Bashkuara duhet të mbrojnë veten, aleatët dhe trupat e tyre të dislokuara në vende të tjera nga një tjetër formë kërcënimi.

XS
SM
MD
LG