Lidhje

Intervistë e kryeministrit Ilir Meta për Zërin e Amerikës - 2001-05-03


VOA: Zoti kryeministër, gjatë kësaj vizite ju keni patur rastin që të takoheni me presidentin Bush, nënpresidentin amerikan dhe me sekretarin Powell. Cilat janë përshtypjet tuaja nga këto takime dhe nga kjo vizitë në Uashington?

Ilir Meta: Përshtypjet e mia mbas kësaj vizite të shkurtër por mjaft intensive në Uashington, 100 ditë pasi administrata e re amerikane ka filluar punën, janë shumë të mira. Në radhë të parë sepse konfirmova edhe njëherë gjatë kësaj vizite se angazhimi i Shteteve të Bashkuara është maksimal përsa i takon forcimit të mëtejshëm të stabilitetit të Shqipërisë dhe njëkohosisht lidhur me stabilitetin e mëtejshëm të rajonit tonë ku ata vlerësojnë mjaft lart politikën e përmbajtur dhe të moderuar që ndjek qeveria shqiptare. Po kështu jam tepër i kënaqur sepse kam arritur të takoj të gjithë udhëheqësit e administratës së re amerikane duke përfshirë këtu edhe presidentin Bush, takimi me të cilit ka qënë vërtetë i paplanifikuar, por nuk ka qënë i rastësishëm dhe në të gjithë këto takime kemi verifikuar edhe njëherë tjetër se marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë vazhdojnë të gëzojnë nivele më të larta të besimit reciprok dhe se do të jenë tepër të rëndësishme në të ardhmen për të kontribuar për konsolidimin e atyre vlerave të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajonin e Evropës Juglindore.

VOA: Zoti Meta, siç theksuat edhe ju administrata amerikane shprehu mbështetje për vendin tuaj por më parë kemi parë që udhëheqës shqiptar i kanë përdorur këto si kapital në prag të zgjedhjeve. A mund të garantoni ju se zgjedhjet në Shqipëri do të zhvillohen sipas rregullave standarte dhe duke u nisur pikërisht nga fakti që partia juaj është partia në pushtet?

Ilir Meta: Së pari dëshiroj të theksoj se kjo vizitë këtu nuk bëhet përpara zgjedhjeve në Shqipëri por bëhet pas zgjedhjeve në SHBA dhe konfirmohet i njëjti angazhim i Shteteve të Bashkuara për të bashkëpunuar me Shqipërinë, për të mbështetur stabilitetin e Shqipërisë dhe po kështu për të punuar së bashku për stabilitetin e rajonit të Evropës Juglindore. Së dyti lidhur me zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri dëshiroj të theksoj se ato do të jenë zgjedhjet më të mira që janë bërë në vend, edhe më të mira se ato të 1 tetorit pasi tashmë edhe ato rekomandime që janë dhënë nga institucionet ndërkombëtare janë marrë në konsideratë dhe gjithçka mendoj se po ecën në mënyrë tepër korrekte dhe jam i bindur se këto zgjedhje do të tregojnë një standart edhe më të lartë të demokracisë në vend.

VOA: Zoti kryeministër, sipas burimeve tona nga departamenti i shtetit në takimin me ju sekretari Powell kërkoi që qeveria të bëjë angazhime më të mëdha në luftën kundër korrupsionit. Sa transparente ka qenë fushata juaj kundër korrupsioni duke patur parasysh se flitet aq shumë për ndërlikimin e zyrtarëve të lartë në korrupsion?

Ilir Meta: Lidhur me takimin e zotit Powell, një nga çështjet që u diskutua është vazhdimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si një domosdoshmëri për të forcuar më tej stabilitetin e vendit dhe njëkohosisht për ti dhënë një impuls të ri reformave ekonomike dhe investimeve të huaja. Por dëshiroj të theksoj se në radhë të parë sekretari Powell ka vlerësuar përpjekjet e Shqipërisë dhe sikurse është shprehur edhe në deklaratën e departamentit të shtetit ai më ka inkurajuar që të vazhdojë në këtë luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duke patur edhe mbështetjen e vendosur të SHBA gjë që është konfirmuar përpara disa minutash edhe nga sekretari i drejtësisë dhe prokurori i përgjithshëm, zoti Ashcroft. Përsa i takon problemit të korrupsionit dëshiroj të theksoj se korrupsioni është një sfidë serioze jo vetëm në Shqipëri por në gjithë vendet e rajonit, dhe së dyti se janë bërë hapa të mëdhenj përpara që vlerësohen nga komuniteti ndërkombëtar. Këtu kam parasysh forcimin e ligjit dhe të rendit, por edhe progresin e jashtëzakonshëm që ka ndodhur në dogana, tatime, proçesin tepër transparent që ka ndodhur në privatizim vitin e kaluar dhe gjatë këtij viti, por edhe shumë goditje që i janë dhënë paligjshmërisë, si në ndërtimet pa leje, shpërdorimin e energjisë elektrike dhe shumë të tjera. Natyrisht që mbetet ende shumë për tu bërë, por unë jam i sigurtë se qeveria e ka të gjithë vullnetin të ecë përpara dhe në këtë rrugë ka edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtar.

VOA: Zoti Meta, kriza në Maqedoni është thelluar së tepërmi ditët e fundit. Çfarë ndihmese mund të japi qeveria shqiptare për zgjidhjen e kësaj krize?

Ilir Meta: Jam i bindur se qeveria shqiptare ka bërë të gjitha përpjekjet që kjo krizë të dekurajohet dhe të mos avancojë dhe do të thosha se dekurajimi i veprimeve ekstemiste përpara dy muajsh të cilat u rishfaqën përpara pak ditësh përsëri, kanë ndodhur si rezultat në radhë të parë i dënimit të ashpër që ka bërë komuniteti ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara përdorimit të ekstremizmit për të zgjidhur problemet atje, së dyti si rezultat i po këtij qëndrimi të vendosur të qeverisë shqiptare për të mbështetur vetëm dialogun politik dhe faktorin politik shqiptar atje dhe po kështu i përpjekjeve që ka bërë vetë faktori politik shqiptar për të mbajtur gjallë opsionin e dialogut për zgjidhjen e problemeve. Mendoj se zgjidhja më e mirë do të vijë nga angazhimi i udhëheqjes së Maqedonisë për një dialog kredibël, të besushëm, i cili jep rezultate konkrete në përmirësimin e statusit të shqiptarëve sepse kjo do të bëj që ekstremistët të mos kenë mbështetje në popullsinë shqiptare atje dhe që kjo alternativë të mos rishfaqet më.

VOA: Zoti kryeministër, shumë faleminderit.

XS
SM
MD
LG