Lidhje

Intervistë e presidentit maqedonas Boris Trajkovski për Zërin e Amerikës - 2001-05-03


Arben Xhixho: Zoti President çfarë planesh ka qeveria juaj për të plotësuar kërkesat e komunitetit shqiptar dhe a jeni i gatshëm të bëni ndryshime në kushtetutë?

Boris Trajkovski: Aktualisht ne kemi filluar procesin e diskutimeve e pjesëmarrjen e gjithë partive politike. Bazuar nga debatet fillestare mund të themi se diskutimet kanë qënë konstruktive. Kemi arritur rezultate konkrete siç ishte për shembull shtyrja e regjistrimit të popullsisë, por edhe për arsimin dhe shtypin. E njëjta gjë mund të thuhet për kthimin e refugjatëve dhe rindërtimin e shtëpive të dëmtuara. Faza e dytë e diskutimeve do të jetë përfaqësimi i përshtatshëm i pakicave në administratën dhe institucionet publike. Faza e tretë do të jetë decentralizimi i pushtetit lokal dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishme është përdorimi i gjuhës së pakicave në administratën publike dhe në shkolla. Pa dyshim që një nga temat që do të diskutohen do të jetë edhe forcimi i shoqërisë civile në Republikën e Maqedonisë.

Arben Xhixho: Zoti President, ju gjithmonë keni fajësuar Kosovën për krizën e fundit në Maqedoni. A mos kemi të bëjmë këtu me një formë shfajësimi për problemet e brendshme etnike të cilat qeveria e Maqedonisë nuk ka arritur t’i zgjidhë dot?

Boris Trajkovski: Gjatë këtyre 10 vjetëve Maqedonia ka qënë shembull pozitiv për Ballkanin, shembull për bashkegzistencën etnike dhe për një strukturë të qartë ligjore që parashikonte pjesëmarrjen e gjithë kombësive në jetën politike dhe publike të vendit. Ky model bashkëpunimi ndëretnik u vlerësua edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Por pikërisht kjo strukturë u godit nga terroristët shqiptarë, nisur nga urrejtja etnike. Dhe me diskutimet e tanishme ne po përpiqemi të shërojmë plagët e këtij problemi. Megjithatë, gjithë problemet vijnë nga Kosova, pasi Kosova vazhdon të mbetet qendra e terrorizmit. Komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë masa dhe të vendosë rendin dhe shtetin ligjor në Kosovë. Unë do të doja të shihja një politikë më të përgjithshme dhe më urgjente të komunitetit ndërkombëtar për të ardhmen e Kosovës. Kosova duhet të bëhet qendër stabiliteti dhe sigurie në rajon. Mendimi im është se udhëheqja politike e Kosovës është e angazhuar dhe e orientuar drejt vlerave evropiane. Banorët në Kosovë janë kundër terrorizmit. Prandaj besoj se elementët terroristë në Kosovë do të izoloheshin në se komuniteti ndërkombëtar mbante një qëndirm më të prerë ndaj tyre.

Arben Xhixho: Zoti president, a do të vështirësohet më tej procesi politik pas vrasjes së 8 forcave maqedonase të rendit? E kam fjalën a do të ndodheni ju tani nën trysni nga elektorati maqedonas për të mos u bërë lëshime shqiptarëve?

Boris Trajkovski: Këta njerëz u vranë me një qëllim diabolik, pikërisht kur u arritën rezultatet e para të procesit politik. Pas vrasjes trupat e tyre u masakruan në formë çnjerëzore. Së pari ne duhet të besojmë në gadishmërinë e gjithë partive politike dhe në radhë të parë të partive politike shqiptare, që ato vërtetë të dëshirojnë rezultate konkrete përmes një dialogu konstruktiv politik. Pra shpresoj se do të vazhdojmë rrugën e dialogut politik.

Arben Xhixho: Zoti Presidenti ju faleminderit.

XS
SM
MD
LG