Lidhje

Transformimi i ushtrisë amerikane - 2001-05-07


Një nga gazetat kryesore amerikane shkruan në numrin e sotëm se Pentagoni po shqyrton mundësinë e ndryshimeve rrënjësore në strategjinë ushtarake. Gazeta The Washington Post, njofton ndër të tjera se Departamenti i Mbrojtjes ka në plan të heqë dorë nga strategjia e tanishme sipas së cilës forcat e armatosura amerikane duhet të jenë në gjendje të zhvillojnë dy luftra të mëdha në të njejtën kohë, strategji e cila për dekada të tëra ka qënë faktori kryesor që përcaktonte madhësinë e ushtrinë amerikane. Gazeta The Washington Post citon zyrtarë amerikanë të planifikimit ushtarak që thonë se strategjia e re nuk do të ketë më si përparësi të saj luftrat konvencionale, por do të përqëndrohet më shumë në konflikte të vogla. Ndërkohë zyrtarët e administratës së presidentit Bush po mbrojnë planin e tij polemik për të krijuar një sistem mbrojtës nga raketat, duke thënë se gjendja strategjike në botë ka ndryshuar që pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Nga Somalia në Gadishullin Ballkanik e në Gjirin Persik, forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara kanë mësuar gjatë dekadës së fundit se duhet të ndryshojnë rrënjësisht taktikat dhe doktrinat e tyre të ligjëruara dekada më parë, për të përballuar rreziqet e luftës së ftohtë të periudhës sovjetike.

Po t’i shtojmë kësaj edhe sfida të tilla moderne, si terrorizmi kompjuterik, trafiku i narkotikëve dhe përhapja e raketave, vetëkuptohet se duhet bërë një rishikim i konceptit të ushtrisë amerikane. Kjo është arsyeja që në Kolegjin e Luftës të Ushtrisë, në fshatin Carlyle, në Pensilvani, në vitin 2015 do të zhvillohen disa manovra të posaçme luftarake të quajtura Luftëtarë Syhapur. Këto manovra do të ndihmojnë në farkëtimin e një force të re luftarake tokësore, e cila siç thotë një fjalë e urtë e ushtrisë do të jetë “Bindëse në Kohë Paqeje” dhe “E Pamposhtur në Luftë.”

Në manovrat e simuluara të këtij viti do të figurojnë vende kundërshtare të Lindjes së Mesme, të përfshira në një grindje për të drejtat e ujit, e cila shndërrohet në një luftë të gjithanshme, në të cilën implikohen Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera. Pala e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, e njohur me emrin e koduar Forca Blu, përfiton nga disa anije të reja transporti që mund të lëvizin me shpejtësi të lartë edhe në cektina, si edhe nga avionë që kërkojnë pista fluturimi të shkurtëra, për të kapur në befasi, me zbarkime të shpejta trupash, Forcën e Kuqe të palës kundërshtare.

Por Forca Blu ndodhet përballë disa sfidash serioze, duke përfshirë goditjet e befasishme të Forcës së Kuqe, jashtë zonës së drejtpëdrejtë të luftimeve. Zyrtarët thonë se manovrat nuk bëhen për të fituar por për të mësuar. Manovrat bëhen për të provuar efektshmërinë e koncepteve të procesit të transformimit të ushtrisë. Manovrat drejtohen nga gjenerali i Brigatës, Hank Stratman, i Komandës së Stërvitjes dhe Doktrinës së Ushtrisë.

“A ju kujtohet kur filloi për herë të parë Star Treku, me gjithë ato materiale kompjuterike, që në shumë raste i shohim këtu sot dhe me gjithë ato pajisje luftarake, të cilat djemtë tanë po i përdorin në këto manovra, e të tjera si këto? Ja pra, ku i kemi këtu sot. Unë e shoh se po ndihmoj për të krijuar atë lloj ushtrie, në të cilën do të bëjnë pjesë nipat e mi, që do të jenë në gjendje të mbrojnë me sukses këtë vend në shekullin e ardhshëm” - thotë gjenerali Stratman.

Akoma ka pasiguri se si do të duket dhe do të veprojë kjo forcë e re tokësore. Por disa konkluzione të përkohshme dihen tashmë. Forca e re duhet të jetë shumë më e lehtë dhe më e shpejtë për të kundërvepruar, sesa ushtria e sotme që mbështetet së tëpërmi në përdorimin e tankeve. Por megjithatë ajo duhet të jetë po aq vdekjeprurëse dhe e aftë për të mbijetuar. Ushtarët duhet të jenë më të adaptueshëm, të gatshëm për të punuar me frymë kolektive me shërbimet e tjera, si forcat ushtarako-detare dhe ato ushtarako-ajrore, apo me partnerë të koalicionit nga vende të tjera.

Forca e re do të mbështetet shumë në industrinë e Shteteve të Bashkuara, përsa i përket furnizimit me pajisje të teknologjisë së lartë, sidomos me sisteme të reja të afta për t’i transmetur çdo ushtari të veçantë informacion nga fusha e betejës. Por ndryshimet nuk do të vijnë menjëherë. Ndonëse ushtria ka filluar të përgatisë tashmë njësi të ndërhyrjes së shpejtë, që t’u përshtaten strukturave të reja më të lehta dhe më vdekjeprurëse, transformimi i gjithë ushtrisë nuk pritet të përfundojë plotësisht deri në vitin 2032.

XS
SM
MD
LG