Lidhje

Maqedonia përpiqet të krijojë një qeveri koalicioni. - 2001-05-08


Maqedonia tha se ka rënë dakord me udhëheqësit e partive kryesore politike për të formuar një qeveri të Bashkimit Kombëtar në përpjekje për të izoluar grupet e armatosura shqiptare dhe për ti dhënë fund konfliktit që filloi mëse dy muaj më parë.

Duke njoftuar marrëveshjen, kryeministri Ljubço Gjeorgjevski tha se qeveria e tij ka hequr dorë të paktën përkohësisht nga planet për të kërkuar shpalljen e një deklarate zyrtare lufte kundër luftëtarëve shqiptarë. Marrëveshja e sotme politike u njoftua disa orë pasi forcat maqedonase rifilluan një ofensivë të ashpër ndaj fshatrave Sllupçan dhe Vaksincë që mbahen nga luftëtarët shqiptarë. Në Shkup, hollësitë e marrëveshjes politike ende nuk janë bërë të ditura.

Sot, kryeministri Gjeorgjevski tha se dy partitë kryesore të opozitës, socialistët dhe partia shqiptare për Prosperitet Demokratik do të merrnin pjesë në koalicion. Zyrtarë të Partisë për Prosperitet Demokratik, të cituar nga agjencia franceze e lajmeve, thanë se në parim janë dakord me marrëveshjen por vetëm pasi forcat qeveritare të kenë njoftuar armëpushim të njëanshëm dhe pa kushte.

Bisedimet që çuan në arritjen e marrëveshjes u kryesuan nga Presidenti Boris Trajkovski. Në bisedime ishte i pranishëm edhe shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana.

Dje në Washington, zëdhënësi i Departamentit të shtetit, Richard Boucher tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se vëmendja duhet të përqëndrohet në dialogun politik, për të cilin, tha ai, presidenti George Bush bisedoi javën e kaluar edhe me presidentin maqedonas Boris Trajkovski në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Bush, theksoi zëdhënësi, i tha presidentit Trajkovski se është me rëndësi kritike të shmanget dhuna përmes përpjekjeve politike. Zëdhënësi tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që udhëheqësit e të gjitha partive politike në Maqedoni të vazhdojnë dialogun dhe të gjejnë një zgjidhje politike për shqetësimet e shqiptarëve.

XS
SM
MD
LG