Lidhje

Uashingtoni mbështet qeverinë e Maqedonisë - 2001-05-08


Shtetet e Bashkuara po shprehin mbështetje për rifillimin e luftimeve të qeverisë maqedonase kundër luftëtarëve shqiptarë. Por në të njëjtën kohë, zyrtarët amerikanë nënvizojnë nevojën për gjetjen e një zgjidhjeje politike.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fliescher, tha të hënën se presidenti Bush shprehu mbështetjen për ofensivën e fundit të qeverisë maqedonase kundër luftëtarëve shqiptarë. “Presidenti kërkon të sigurohet që Maqedonia mund të mdërmarrë veprimet e nevojshme për të përballuar këtë problem që është krijuar nga ekstremistët” tha zëdhënësi.

Zoti Fliescher i bëri këto komente disa ditë pasi presidenti Bush u takua në Shtëpinë e Bardhë me homologun e tij maqedonas, Boris Trajkovski.

Presidenti Trajkovski u prit mirë gjatë vizitës së tij. Washingtoni premtoi se do të ndante me forcat maqedonase të dhëna të shërbimeve të zbulimit për ti ndihmuar ato që ti japin fund dhunës midis sllavëve dhe shqiptarëve.

Mirëpo, zoti Fliescher theksoi gjithashtu se presidenti Bush kishte nënvizuar nevojën për gjetjen e një zgjidhjeje politike të krizës etnike.

“Presidenti e bëri të qartë në komentet e tij se ai mendon që zgjidhja përfundimtare duhet të jetë politike”, tha zëdhënësi.

Komenteve të zotit Fliescher u bëri jehonë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Richard Boucher. Edhe zoti Boucher e mirëpriti njoftimin se qeveria maqedonase i kishte shtyrë planet për të kërkuar shpalljen e gjendjes së luftës, duke e cilësuar këtë vendim si hap të urtë.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, shprehu shqetësim rreth rritjes së nivelit të dhunës në Maqedoni dhe pasojave të saj në mbarë rajonin e Ballkanit.

Fred Eckhard, zëdhënësi kryesor i zotit Anan, lexoi një deklaratë, në të cilën sekretari i përgjithshëm shpreh shqetësim të thellë rreth shkallëzimit të dhunës midis forcave maqedonase dhe luftëtarëve shqiptarë. “Ai është shumë i shqetësuar nga rifillimi i luftimeve dhe mundësia që gjendja, nëse nuk vihet nën kontroll, do të shkallëzohet në një konflikt më mizor me pasoja të rënda për gjithë rajonin e Ballkanit” tha zëdhënësi.

Zoti Eckhard tha se sekretari i përgjithshëm i OKB-së është vazhdimisht në kontakt me Sekretarin e Përgjithshëm të Natos, George Robertson, dhe përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Havier Solana, të cilët aktualisht ndodhen në Maqedoni. Tani për tani, qeveria maqedonase e ka shtyrë debatim në parlament nëse të shpallë zyrtarisht apo jo luftën kundër grupeve të armatosura shqiptare.

Zoti Robertson ka premtuar një patrullim më agresiv, siç u shpreh ai, nga ana e forcave të Natos përgjatë kufirit Maqedoni-Kosovë, ku thuhet se disa shqiptarë nga Kosova po ndihmojnë luftëtarët shqiptarë në Maqedoni.

Zyrtarët e agjencive ndërkombëtare të ndihmave thonë se që nga shpërthimi i luftimeve të fundit në Maqedoni ditën e enjte, thuajse 4 mijë civilë kanë ikur në Kosovë. Kryeadministratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Hans Heakkerup, do të qëndrojë në New York për këshillime sot dhe nesër. Pritet që gjatë qëndrimit të tij në New York, zoti Heakkerup të takohet edhe me presidentin e Jugosllavisë, Vojisllav Koshtunica.

XS
SM
MD
LG