Lidhje

Kalendari historik i datës 9 maj - 2001-05-09


Më 9 maj 1974, Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, filloi disa seanca me pyetje-përgjigje, lidhur me mundësinë e nxjerrjes para gjyqit të presidentit Richard Nixon. Komisioni do të zhvillonte hetime lidhur me akuzat që presidenti Nixon e dinte se disa njerëz që punonin në komitetin e fushatës për rizgjedhjen e tij, kishin hyrë me forcë në zyrat e selisë kombëtare të Partisë Demokrate, në kompleksin e ndërtesave Watergate, në Uashington. Gjatë hetimeve Komisioni do të përpiqej të zbulonte në se presidenti Nixon kishte marrë pjesë në një komplot për të fshehur në mënyrë të paligjshme lidhjet e Shtëpisë së Bardhë me personat e arrestuar në Watergate. Më 30 qershor 1974 Komisioni miratoi tri pika të akuzës. Në gusht të atij viti, duke iu referuar humbjes së mbështetjes në Kongres, presidenti Nixon dha dorëheqjen.

41 vjet më parë, më 9 maj 1960, Departamenti amerikan i Ushqimeve dhe Ilaçeve njoftoi se kishte miratuar si të sigurt dhe të efektshëm, një kontraceptiv, në formën e një tablete, që merrej nga goja. Sipas një zyrtari të këtij departamenti, provat e kryera gjatë një periudhe 4 vjeçare me 1 mijë e 500 gra, tregonin se tableta e mësipërme ishte qind përqind e efektshme. Tableta përmbante hormone kimike që ndërhynin duke penguar prodhimin e vezës tek gruaja. Departamenti i Ushqimeve dhe Ilaçeve njoftoi se do të lejonte përdorimin e kësaj tablete, të quajtur Enovid, vetëm me recetë mjeku. Njëzetë tableta në muaj duheshin përdorur që një grua të mos mbetej shtatzënë. Kostoja e tyre do të ishte rreth 10 dollarë në muaj. Këto tableta për kontrollin e lindjeve u vunë në shitje për herë të parë në dhjetor të vitit 1960.

XS
SM
MD
LG