Lidhje

Nga takimi Bush-Koshtunica - 2001-05-09


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, George Bush i tha presidentit jugosllav, Vojisllav Koshtunica, se ndihma amerikane për Jugosllavinë varet nga bashkëpunimi i Beogradit me Gjykatën Ndërkombëtare për krimet e luftës. Zoti Koshtunica vlerësoi frymën e sinqertë të bisedimeve mbi një sërë çështjesh, duke përfshirë edhe statusin e Kosovës. Presidenti jugosllav tha se takimi i sotëm shënon përmirësimin e plotë të marrëdhënieve të Jugosllavisë me Shtetet e Bashkuara pas largimit nga pushteti vitin e kaluar të ish presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviç.

Presidenti Bush mori pjesë papritur në takimin e nën presidentit Dick Cheney dhe këshilltares për sigurimin kombëtar, Condoleezza Rice me presidentin Koshtunica, i cili e quajti këtë takim një fillim të ri në marrëdhëniet amerikano-jugosllave pas disa vjet vështirësish. Në bisedime u diskutua për Kosovën, trazirat në Maqedoni, marrëdhëniet federale të Serbisë me Malin e Zi dhe për trysninë e Shteteve të Bashkuara për të ekstraduar në gjykatën e Hagës ish presidentin jugosllav, Sllobodan Milosheviç.

Presidenti Koshtunica u tha gazetarëve pas takimit që zgjati një orë se do t’i kërkojë me këmbëngulje parlamentit jugosllav të ndryshojë sa më shpejt ligjin, i cili mund t’i hapë rrugën ekstradimit të ish presidentit Jugosllav.

“E ndjej për detyrim të ndihmoj dhe të mbështes miratimin e ligjit nga parlamenti jugosllav i cili do të lejojë ligjërisht bashkëpunimin me gjykatën e Hagës”, tha presidenti Koshtunica.

Administrata e presidentit Bush ka thënë se do të tërheqë mbështetjen për një konferencë donatorësh për rindërtimin e Jugosllavisë së pas luftës, të planifikuar për në qershor, po qe se zoti Milosheviç nuk do t’i dorëzohet gjykatës.

Këto bisedime pasojnë takimin e djeshëm të sekretarit amerikan të Shtetit, Colin Powell, me kryeprokuroren e Gjykatës së Hagës, Carla Del Ponte. Të dy zyrtarët ranë dakord se duhet caktuar një afat për transferimin e ish presidentit jugosllav në gjykatën ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG