Lidhje

Zyrë e re kundër terrorizmit - 2001-05-09


Presidenti Bush po krijon një zyrë të re për të ndihmuar në bashkërendimin e planeve në rast sulmesh të mundshme biologjike, kimike ose bërthamore si dhe sulmeve të tjera terroriste ndaj Shteteve të Bashkuara. Zyra e re do të veprojë nën drejtimin e Agjencisë Federale të Emergjencave, e cila merret me pasojat e katastrofave natyrore. Ndërkaq, presidenti Bush ka emëruar nën-presidentin Cheney si kryesues të një grupi pune që ka për synim të vlerësojë kërcënimet terroriste. Ky grup do t’i paraqesë Kongresit përfundimet paraprake të punës së tij më 1 tetor, së bashku me rekomandimet e tyre të cilat do të shqyrtohen nga Këshilli i Sigurimit Kombëtar. Sekretari Amerikan i Shtetit Colin Powell thotë se terrorizmi ndërkombëtar është ana e errët e globalizimit. Por ai shton se Shtetet e Bashkuara nuk do të tërhiqen nga angazhimi i tyre ndërkombëtar, megjithëse zyrtarët pohojnë se ky problem po bëhet më i vështirë. Senati Amerikan filloi një proces hetimor 3 ditësh lidhur me aftësitë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar terrorizmin. Sekretari Powell e përshkroi terrorizmin si pjesë e angazhimit në botë, nga i cili, siç u shpreh ai, amerikanët nuk do të heqin dorë. “Në se ne do të fshiheshim prapa mureve prej betoni dhe telave me gjemba, kjo do të përbënte një farë fitoreje për terroristët. Ne nuk duam të shmangim çështje delikate apo të kufizojmë angazhimin tonë në përgjegjësitë tona ndërkombëtare” tha sekretari Powell.

Zoti Powell dhe zyrtarë të tjerë thonë se përpjekjet anti-terroriste janë shtuar në rrjedhën e viteve, por teknologjia dhe lidhjet ekonomike e vështirësojnë betejën. Ekzistojnë shumë mënyra, tha ai për të cënuar një amerikan, dhe jam i bindur se ka persona që kanë gjetur mënyra për t’i shpëtuar sistemit tonë të zbulimit apo kontrolleve policore në mënyrë që të kryejnë akte terroriste.

Ndërkaq, studimet e fundit kanë treguar se Shtetet e Bashkuara nuk janë të përgatitura për t’iu kundërpërgjigjur terrorizmit në territorin e tyre. Janë identifikuar 46 agjenci përgjegjëse për të vepruar në rast sulmesh terroriste, por dallimi i përgjegjësive të secilës agjenci është i paqartë.

Senatorja Barbara Mikulski thotë se ekzistojnë disa pyetje bazë: “Cilat agjenci veprojnë në bashkërendim me njëra tjetrën? Kur dhe si do t’u përgjigjemi kërcënimeve të mundshme ose një incidenti që mund të ndodhë, veçanërisht në nivel vendor dhe i një karakteri të veçantë”.

Shtëpia e Bardhë po organizon një grup pune, nën drejtimin e nën-presidentit Cheney për të bashkërenduar përgatitjet e qeverisë për t’u përballur me kërcënimin e sulmeve terroriste.

XS
SM
MD
LG