Lidhje

Klonimi i qelizave - 2001-05-09


Shkencëtarët theksojnë se as që nuk i janë afruar mundësisë që të marrin qeliza nga lëkura e njeriut dhe t’i shndërrojnë ato në qeliza të trurit. Por në një artikull të botur në revistën Shkenca ata thonë se një gjë e tillë është relizuar tek minjtë.

Kërkuesit në Universitetin Rockefeller dhe në Qendrën për studimin e kancereve Memorial Sloan-Kettering, që të dyja në New York, realizuan klonimin e embrionit të miut, duke hequr përmbajtjen e vezës së miut dhe duke injektuar në të materialin gjenetik të marrë nga bishti i miut. Pas zhvillimit të embrionit të fertilizuar deri një farë shkalle, shkencëtarët nxorën qelizën bazë.

Peter Mombaerts, autori kryesor i artikullit thotë se qelizat bazë janë krijuesit e të gjitha qelizave të tjera dhe kanë aftësinë që të krijojnë çdo lloj qelize të të re në indet e trupit. Shkencëtarët kanë arritur që të krijojnë edhe qeliza të trurit, që po të arrijnë t’i realizojnë ato edhe tek njeriu, do t’i hapin rrugën krijimit të qelizave që do të pengonin degradimin e celizave që prodhojnë dopaminën, e cila mban lidhjen mes qelizave të trurit. Ky degradim është edhe shkaku i sëmundjes së Parkinsonit. Shkencëtari Peter Mombaerts, profesor në universitetin Rockefeller të New Yorkut, thotë se hapi tjetër është eksperimentimi i efektit të celizave të trurit që prodhojnë dopaminën tek minjtë me sëmundjen e Parkinson-it. Profesor Mombaerts thotë se interesi i tij në këtë studim është thjesht shkencor. Ai thekson se askush më parë nuk i ka lidhur dy teknologjisë biologjike, klonimin dhe krijimn e qelizave bazë të organizmave të gjalla.

“Koncepti bazë i riprogramimit, duke filluar me një qelizë të vetme, tepër e ndryshme nga ajo e bishtit të miut, dhe duke përfunduar me një seri qelizash që ne e quajmë pluri-potente që mund të marrë çdo drejtim që dëshirojmë, është një fenomen mahnitës biologjik. Dhe kjo është pikërisht ajo që ne jemi të interesuar. Ne përpiqemi të arrijmë të kuptojmë se si është e mundur një gjë e tillë. Disa vjet më parë, vetëm të propozoheshin eksperimete të tila, do t’i bënte njerëzit të mblidhnin shpatullat me habi” thotë profesori.

Robyn Shapiro është drejtore i Qendrës së Studimeve Bioetike në Kolegjin e Mjeksisë në Wisconsin. Ajo thotë se mundësia e mjekimit të njerëzve nëpërmjet klonimit do të jetë një arritje e madhe. “Duke marrë masat e duhuara, për mendimin tim kjo është një mundësi reale dhe interesante. Natyrisht që embrioni është një top qelizash bazë që zhvillohen duke u shndëruar në fetus, që në procesin e zhvillimit krijon sistemin nervor, shtyllën kurrizore dhe pjesë të tjera të trupit. Në qoftë se arrijmë të nxjerrim qeliza para se ato të marrin një formë të caktuar, ne mund ta orientojmë zhvilimin e tyre në laborator ashtu siç na duhet për raste të ndryshme transplantimesh”, thotë zonja Shapiro.

Indet në embrionin e njeriut fillojnë të ndryshojnë 14 javë pas fertilizimit, kur ai kthehet në fetus, siç janë dakort shumë shkencëtarë. Prandaj profesorja Shapiro thotë se çdo studim mbi embrionin njerëzor duhet të fillojë patjetër para se ai të shndërohet në fetus.

XS
SM
MD
LG