Lidhje

Nga vizita e presidentit Koshtunica në Washington - 2001-05-10


Shtetet e Bashkuara thonë se Jugosllavia nuk po bashkëpunon me gjykatën ndërkombëtare për krimet e luftës dhe se Beogradi duhet të përpiqet më tepër nëse dëshëron të përfitojë nga ndihmat perëndimore.

Vizita e presidentit jugosllav ne Washington ishte e rendësishme meqë zhvillohet pas vitesh marrëdhëniesh të acaruara, pas luftës dhe përpjekjeve të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara për rrëzimin e një udhëheqësi, të cilin Washingtoni e fajësonte për konfliktin dhjetëvjeçar në mbarë Ballkanin. Që nga bisedimet e Daytonit që i dhanë fund Luftës së Bosnjës, nuk ka patur ndonjë takim ndërmjet presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe atij të Jugosllavisë. Por në takimin e kësaj radhe që të dy presidentët ishin të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Por takimi i djeshëm u shoqërua me një paralajmërim që nëse presidenti Koshtunica nuk dorëzon në Hagë Sllobodan Millosheviçin për t’u gjykuar nën akuzat për krime lufte, dhjetra-miliona dollarë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara, që aq shumë i nevojiten Jugosllavisë, mund të mos dërgohen.

Pas takimit me sekretarin e shtetit Colin Powell, udhëheqësi jugosllav nuk mori angazhime në këtë drejtim. Duhet që së pari, tha ai, parlamenti në Beograd të miratojë ligjin për këtë çështje. “Kjo do ta rregullonte ligjërisht bashkëpunimin tonë me gjykatën e Hagës, tha zoti Koshtunica, dhe do ta bënte atë më të lehtë bazuar në parime ligjore.”

Si anëtare e Kombeve të Bashkuara, Jugosllavia është e detyruar nga ligji ndërkombëtar të dorëzojë të dyshuarit që kërkohen nga Gjykata e OKB-së për Krimet e Luftës. Ndërkohë që shtohet trysnia si nga kongresi, ashtu edhe nga Gjykata për Krimet e Luftës ndaj administratës së presidentit Bush për të mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj çështjes së dorëzimit të Millosheviçit, zëdhënësi i departamentit të shtetit, Richard Boucher, u tha gazetarëve se Washingtoni kërkon më shumë bashkëpunim. “Gjatë muajit të fundit nuk kemi parë atë lloj bashkëpunimi të Jugosllavisë me gjykatën e Hagës, që do të na lejonte të përkrahim dhe marrim pjesë në një konferencë të paraprake donatorësh”, tha zëdhëënësi i departamentit të shtetit. Zyrtarët e administratës janë shprehur se konferenca e paracaktuar për në muajin qershor, nuk ka gjasa të mblidhet, po qe se Washingtoni nuk e miraton një gjë të tillë.

XS
SM
MD
LG