Lidhje

Pranimi i vendeve balltike në NATO - 2001-05-11


Përfaqësues nga vendet e Evropës Lindore dhe shtetet Balltike që dëshirojnë të antarësohen në NATO, filluan të enjten një takim në Sllovaki, për të siguruar anëtarësim në Aleancë. NATO duhet të vendosë deri vitin që vjen në se është e gatshme të rrezikojë një krizë me Rusinë, duke u zgjeruar në shtetet balltike.

Rusia nuk e ka mbajtur sekret faktin se do të ndihej e rrezikuar nëse ndonjë nga shtetet Balltike, Estonia, Letonia dhe Lituania, do të anëtarësoheshin në NATO. Shtetet e Bashkuara po ushtrojnë trysni për zgjerimin e Aleancës duke thënë se NATO-ja përfundimisht duhet të përfshijë të gjitha demokracitë e reja të ish bllokut komunist. Aleatet evropianë të Washingtonit, janë më pak entuziastë për zgjerimin e aleancës tani për tani, duke preferuar gjetjen e një mënyre më të kujdesshme për anëtarësimin e këtyre vendeve pa acaruar marrëdhëniet me Rusinë. Në një takim të nivelit të lartë që do të mbahet në Pragë vitin e ardhshëm, Natoja ka në plan që të diskutojë rreth zgjerimit të Aleancës. Vendet e Evropës Lindore dhe shtetet balltike së bashku me Kroacinë bënë një dekleratë vitin e kaluar duke i kërkuar NATO-s që t’i pranojë të gjitha këto vende në të njëjtën kohë. Por diplomatët evropianë thonë se nuk ka shumë gjasa për këtë. Meqënse NATO vepron në bazë të konsesusit, duhet që të 19 vendet anëtare të bien dakord për pranimet e reja.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Xhorxh Robertson, thotë se raundi i parë i zgjerimit të Aleancës në lindje me Poloninë, Hungarinë dhe Republikën Çeke ka sjellë qëndrueshmëri në Evropën Qendrore dhe se Rusia nuk ka pse të ndihet e rrezikuar nga zgjerimi i mëtejshëm i NATO-s. “Anëtarsimi në NATO nuk ka për qëllim në asnjë mënyrë që të kërcënojë Rusinë, të cilën ne e konsiderojmë një partnere dhe jo armike. Anëtarsimi në NATO, anëtarsimi në një aleance mbrojtëse, garanton stabilitet në vendet fqinje me Rusisë dhe nuk sjell kërcënim atje”, tha zoti Robertson.

Diplomatë në selinë e NATO-s thonë se disa vende kryesore të Aleancës, veçanërisht Franca dhe Gjermania, thonë se NATO-ja duhet të përqendrohet në shtimin e besimit me Rusinë para se të pranojë shtetet Balltike. Dihet se Franca mendon që vende si Sllovenia dhe Rumania duhet të pranohen para shteteve balltike sepse një gjë e tillë do të tregonte interesimin e NATO-s për stabilizimin e Ballkanit, fuçia e barotit në Evropë. Një diplomat francez thotë se shtetet balltike gëzojnë tashmë qëndrueshmëri, kështu që nuk ka nevojë për zgjerimin e ombrellës mbrojtëse të NATO-s në atë rajon dhe për armiqësimin e panevojshëm të Moskës.

Para disa muajsh, kryeministri i Lituanisë, Roland Paksas, tha në selinë e NATO-s në Bruksel se qeveria e tij është e gatshme të anëtarsohet në Aleancë. Përkrahës të zgjerimit të NATO-s thonë se Moska e di se nuk mundë të ndalojë këtë zgjerim dhe më në fund do ta pranojë atë nëse perëndimi do ta trajtojë Moskën si një partnere strategjike. Kundërshtarët thonë se anëtarësimi i shteteve balltike në Aleancë do të rriste nacionalizmin Rus dhe do ta detyronte Moskën të mbante një qëndrim jobashkpunues me NATO-n.

Daphne Ter-Sakarian, analiste e çështjeve balltike, thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë parasysh mendimet e aleatëve evropianë kur të vendoset për zgjerimin e NATO-s. Disa nga aleatët, thotë ajo, shprehen se ka më shumë kuptim që vendet balltike të anëtarsohen më parë në Bashkimin Evropian duke i dhënë Moskës më shumë kohë për t’iu përshtatur faktit se këto vende do të jenë pjesë e bllokut perëndimor. Pas kësaj, argumentojnë diplomatët evropianë, shtetet Balltike mund të bëhen pjesë e NATO-s.

Por shtetet Balltike nuk e pranojnë këtë argumet. Ato thonë se Rusia nuk duhet të ketë të drejtën e vetos ndaj anëtarsimit të tyre në NATO. Një diplomat lituan thotë se kjo do të linte të kuptonte se NATO pranon sferën e influencës ruse në vendet Balltike.

XS
SM
MD
LG