Lidhje

OKB e shqetësuar për tensionet në Luginën e Preshevës - 2001-05-15


Kombet e Bashkuara po shprehin shqetësime se hyrja e trupave jugosllave në zonën e sigurisë që ndan Kosovën nga Serbia, mund të shkaktojë një vërshim refugjatësh drejt Kosovës. Tensionet po rriten sidomos në prag të afatit të 24 majit, që Natoja ka caktuar për hyrjen e trupave jugosllave në pjesën e mbetur të zonës së çmilitarizuar.

Siç njofton Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, më shumë se 1 mijë shqiptarë janë larguar nga Lugina e Preshevës për në Kosovë, ndërkohë që kanë vazhduar shkëmbimet e zjarrit midis luftëtarëve shqiptarë dhe forcave jugosllave. Shumica e refugjatëve hynë në Kosovë të hënën.

Zëdhënësi i Agjencisë për Refugjatët, Kris Janowski thotë se shumica e të zhvendosurve ishin nga një fshat jashtë zonës së çmilitarizuar. Zoti Janowski tha se agjencia për refugjatët po u bën thirrje të gjitha palëve për përmbajtje.

”Agjencia e OKB-së për Refugjatët është shumë e shqetësuar për këtë zhvendosje dhe për rritjen e tensioneve në Luginën e Preshevës në përgjithësi. Në shumë raste ne kemi bërë thirrje për hapa të matura në ndryshimin e statusit të zonës së sigurisë ndërsa tani po u bëjmë thirrje si autoriteteve serbe e jugosllave ashtu edhe udhëheqësve shqiotarë në Luginën e Preshevës, tha Janowski”.

Zoti Janowski tha se kërkohet vetpërmbajtje maksimale para se të bëhet kalimi i zonës së sigurisë nga kontrolli i Natos në atë të forcave jugosllave. Natoja autorizoi këto ditë ushtrinë jugosllave për tu futur në të ashtuquajturën sektor B të sigurisë, i cili kontrollohet nga qindra luftëtarë shqiptarë dhe është kthyer në skenë përleshjesh të shpeshta midis tyre dhe forcave jugosllave.

”Në një situatë të tendosur si kjo, përleshjet e mëtejshme ose çfarëdo hap i nxituar mund të shkaktojë ndonjë eksod tjetër, prandaj duhet treguar kujdes. Në fund të fundit janë civilët ata që do të paguajnë çmimin. Ne na shqetësojnë pasojat humanitare. Tensionet vazhdojnë dhe nuk duket se po merret ndonjë masë për krijimin e besimit, tha zoti Janowski.”

Zëdhënësi tha se agjencia është e bindur se si autoritetet jugosllave ashtu edhe udhëheqësit shqiptarë janë të interesuar në ruajtjen e paqes në Luginën e Preshevës.

Por, shtoi ai, është e qartë se grupet e armatosura shqiptare janë të interesuara të krijojnë tensione dhe kjo mund të çojë në një destabilizim të madh të gjendjes.

XS
SM
MD
LG