Lidhje

Kalendari historik i datës 13 maj - 2001-05-15


Më 13 maj të vitit 1914, lindi pranë qytetit Lafajet të Alabamës Joe Luis, një nga boksierët profesionistë më të famshëm të të gjitha kohëve. Emri i tij i vërtetë ishte Xhozef Luis Barrou dhe ai e kaloi fëmijërinë në Detroit të Miçiganit. Në vitin 1937 Luis fitoi titullin e kampionit të botës për peshat e rënda. Gjatë karrierës së tij si boksier, Xho Luis fitoi 68 ndeshje dhe humbi vetëm në tre prej tyre. Ndoshta rivalitetin e tij më të madh ai pati me boksierin gjerman Max Scheming, ish-kampion botëror i boksit për vitin 1936 dhe i pari boksier që mundi Xho Luisin. Regjimi nazist i Gjermanisë e konsideroi fitoren e Schemingut ndaj afrikano-amerikanit Xho Luis si triumf të racës superiore gjermane. Kur zhvilluan një tjetër ndeshje në vitin 1938, Xho Luis e mundi Max Schemingun që në raundin e parë të lojës. Xho Luis e braktisi sportin në vitin 1949, pasi kishte qenë kampion 25 herë me radhë. Ai u rikthye në ring në vitin 1950, për t’u larguar përsëri në vitin 1951, kur Roki Marciano e nxorri atë jashtë ringut. Xho Luis vdiq në vitin 1981. Për nder të boksierit legjendar emri i tij ju dha arenës së qytetit të Detroitit.

Më 13 maj të vitit 1958, nënpresidenti amerikan i asaj kohe Riçard Nikson dhe gruaja e tij, Pat mezi mundën të shpëtonin gjatë një demonstrate të fuqishme antiamerikane në Karakas të Venezuelës. Nënpresidenti amerikan ndodhej atje për një vizitë zyrtare dhe ai po shkonte në një ceremoni për vendosjen e një kurore, kur demonstruesit panë autokolonën e nënpresidentit. Turma theu xhamat e makinës së nënpresidentit Nikson dhe u përpoq ta tërhiqte atë dhe gruan e tij zvarrë nga makina. Niksonët mundën të largohen me shpejtësi dhe hynë në ambasadën amerikane, ku qëndruan deri sa u nisën të nesërmen me avion, nën mbrojtjen e trupave të policisë venezeluane. Nënpresidenti Nikson u prit me demonstrata edhe në Peru, Uruguaj dhe Kolombi gjatë vizitës së tij 14 ditore në Amerikën Latine.

XS
SM
MD
LG