Lidhje

Intervistë me zëvendës kryeministrin e Maqedonisë  Qemal Musliu - 2001-05-16


VOA: Zoti Musliu, urime për postin e ri!

Q. Musliu: Ju faleminderit, por më mirë do të kishte qenë që ky urim të bëhej në një situatë shumë më të qetë.

VOA: Qeveria e re, në opinionin e vendit tuaj, shihet ndryshe nga banorët maqedonas dhe ndryshe nga banorët shqiptarë. Maqedonasit e shohin atë si një qeveri që do t’i japë fund kryengritjes së armatosur, kurse shqiptarët si një qeveri që do të zgjidhë problemet e tyre. A vihet re e njëjta përplasje interesash edhe brenda vetë radhëve të qeverisë së re?

Q. Musliu: Sot ne zhvilluam mbledhjen e parë dhe që në start, nuk mund të shihet se si do të vazhdojë puna në këtë qeveri, megjithatë, mbresat e para tregojnë se ndoshta kjo qeveri e zgjeruar do të mund të evitojë situatën e palakmueshme, posaçërisht në rajonin e Kumanovës. Partia për Prosperitet Demokratik ka analizuar gjeregjatë ftesën, mos të them të kryeministrit, por kërkesën e faktorit ndërkombëtar, për të hyrë në këtë koalicion politik qeveritar. Vlerësuam se në këtë moment kyçja e jonë në qeveri është në interes të zgjidhjes së çështjes shqiptare këtu, respektivisht hyrja jonë në qeveri do të mundë të ndikojë së pari që të ndalet lufta. Le t’i shmangemi një katastrofe humanitare dhe të krijojmë kushte për një dialog të vërtetë politik mes palës shqiptare dhe maqedone.

VOA: Zoti Musliu, grupet e armatosura shqiptare nuk kanë dhënë ndonjë shenjë se janë të gatshme të heqin dorë nga përpjekja e armatosur. Çfarë rruge do të ndjekë qeveria e juaj për zgjidhjen e konfliktit të armatosur?

Q. Musliu: Shikoni, së pari unë nuk do të kisha thënë se qeveria ka dhënë një ultimatum, por është fjala për një armëpushim në një kohë, kur duhen gjetur modalitete për qetësimin e situatës. Mu për këtë, edhe ne ministrat e Partisë për Prosperitet Demokratik kërkuam që të mos pengohen shoqatat humanitare bamirëse për të zhvilluar aktivitet humanitar në fshatrat përreth Kumanovës, që t’i vihet në ndihmë ppullatës tejet të rrezikuar me artikuj ushqimorë dha paisje higjenike. Në këtë rast, mund të them se ne do të bëjmë çmos që kyçja e jonë, e ministrave të Partisë për Prosperitet Demokratik, ma merr mendja edhe të Partisë Demokratike Shqiptare, duhet të rezultojë në evitimin e situatës dhe në një situatë më të relaksuar, të zhvillohet një dialog i vërtetë për të gjitha çështjet e hapura drejt barazisë së plotë qytetare.

VOA: Procesi politik për zgjidhjen e ankesave të shqiptarëve nuk mund të japë rezultate të menjëhershme. Çfarë garancish politike do të jepte qeveria juaj që t’u hiqte luftëtarëve të armatosur argumentin se ata luftojnë për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni?

Q. Musliu: Unë nuk them se luftëtarët nuk luftojnë për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, mirëpo ne jemi parti politike dhe do të veprojmë në institucionet e sistemit. Puna e parë që ne hymë në këtë koalicion, ishte të evitohen operacionet ushtarako-policore, puna e dytë, respektivisht, ajo që ne kërkojmë të realizohet është qetësimi i situatës në rajonin e Kumanovës dhe të zhvillohet dialogu real për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura drejt një barazie të plotë qytetare në Maqedoni. E gjithë kjo do të rrumbullakësohet me ndryshimin e kushtetutës e cila do të jetë garanci për ne shqiptarët, si popull i barabartë me të gjithë të tjerët në Republikën e Maqedonisë. Për këtë kemi edhe garancinë e faktorit ndërkombëtar. Ne, tërë kohën, kemi qenë në bashkëpunim me ambasadorë të huaj, posaçërisht ambasadorin e Amerikës, ambasadorin e Anglisë e, gjithashtu, me përfaqësuesit e OSBE-së e, në këtë kontekst, do të përmend edhe zotin Frowick. Kemi garanci të plota se me agjendën, të cilën e kemi përpiluar së bashku, do të zgjidhim të gjitha çështjet e hapura, pra, që janë të sanksionuara këtu, dhe ne kemi shpresë se ajo do të bëhet. Për këtë dhe merremi me politikë. Duhet të mundohemi, të punojmë dhe atë agjendë ta konkretizojmë në interes, së pari, të shqiptarëve, dhe në veçanti e në përgjithësi të të gjithë qytetarëve në Maqedoni. Por unë ju them të drejtëm se ne, me të vërtetë, presim që të bëhet diçka në këtë aspekt. Dhe jemi optimistë. Por, po qe se, në një afat të shkurtër dy apo tre-mujor, vërehet se kjo punë që ne presim të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, ngec, atëherë sigurisht që Partia për Prosperitet Demokratik do të marrë qendrim konkret, të mos them edhe të dalim prej qeverisë, për arësye se ne, në këtë qeveri, nuk kemi ndonjë interes personal e as partiak. I vetmi interes, për të cilin kemi hyrë në këtë qeveri është që të zgjidhim të gjitha çështjet e hapura në interes të shqiptarëve këtu në Maqedoni, drejt një barazie të plotë.

XS
SM
MD
LG