Lidhje

Analizë e politikave të perëndimit për reformat në Rusi - 2001-05-17


Si mund të gabonte kaq rëndë Perëndimi? Kjo është pyetja që Peter Reddaway, ndërmjet të tjerash, shtron, në librin e tij të ri, ”Tragjedia e Reformave të Rusisë”. Një program që duhej të çonte drejt begatisë dhe demokracisë ka rezultuar në të kundërtën, gjë që zoti Reddaway dhe bashkautori i librit, historiani rus Dimitri Glinski, e quajnë ”bolshevizëm i tregut të lirë”.

I inkurajuar nga këshilltarët perëndimorë, ish-presidenti Boris Yeltsin detyroi zbatimin e së ashtuquajturës terapi e shokut në Rusi duke shkaktuar ngritjen e inflacionit nëpërmjet heqjes së menjëhershme të kontrollit sovjetik mbi çmimet. Brenda natës, kursimet e miliona rusëve u fshinë dhe klasa e mesme u shkatërrua. Mbi gërmadhat e këtyre shkatërrimeve ekonomike doli një mafie e cila gllabëroi pasuritë kryesore kombëtare nëpërmjet privatizimeve me ankand. Me pasuri të reja dhe me lidhje politike, ata u bënë një pjesë përbërëse e qeverisë në një shtet të kriminalizuar.

Rusët duhet të marrin përgjegjësinë për gabimet e tyre, thotë zoti Reddaway, profesor i shkencave politike në universitetin George Washington, por një pjesë të mirë të fajit e kanë edhe këshilltarët amerikanë. “Mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi në përgjithësi u treguan tepër të nxituar dhe të pakujdesshëm në lidhje me Rusinë paskomuniste. Ata menduan se këtë strategji ekonomike mund ta përdornin në një numër të madh vendesh. Sipas mendimit tim, dhe këtë e kam shprehur që në vitin 1991, Rusia nuk ishte aspak në kushte të përshtatshme për zbatimin e kësaj teorie të veçantë”, thotë analisti. Profesor Reddaway shton se perëndimorët e përshëndetën autoritarizmin në rritje të presidentit Yeltsin. Kundërshtarët e këtyre politikave u cilësuan si përkrahës së vijës së ashpër. Në të vërtetë, zoti Yeltsin dhe klika e tij ishin përkrahës së vijës së ashpër të cilët shtypën lëvizjet demokratike. Autorët shkruajnë se presidenti Yeltsin përqafoi terapinë e shokut për të fuqizuar pushtetin e tij: “Dukej e thjeshtë, e lehtë dhe e shpejtë dhe që e tërhiqte personalisht Yeltsinin, i cili, deri atëherë, gjatë gjithë karrierës së tij, kishte qenë një bolshevik dhe kishte kishte vepruar sipas mënyrave të bolshevikëve. Dhe miratimi nga ana e Washingtonit inkurajonte politikat të tipit bolshevik, sipas të cilave udhëheqja e lartë merrte vendime të rrepta dhe ua impononte ato shoqërisë. Një gjë e tillë e tërhiqte Yeltsinin dhe një numër të vogël ideologësh të ekonomisë që ndodheshin rreth tij”.

Shtetet e Bashkuara kanë humbur besueshmërinë mes rusëve, thonë autorët, dhe duhet të ngurrojnë për të ofruar këshilla. Autorët mendojnë se zgjidhja për Rusinë, po qe se ka ndonjë, gjendet tek forcat demokratike që tashti ndodhen të ndrydhura, të cilave do t’u duhen 10 deri në 15 vjet për të rivlerësuar vetveten dhe për të sfiduar oligarkinë e tanishme në një përpjekje që mund të jetë përsëri një revolucion. David Ellerman, një nga ekonomistët kryesorë të Bankës Botërore, thotë se autorët Reddaway dhe Glinksi kanë shkruar një libër me vlera historike. Sipas mendimit të zoti Ellerman, bolshevizmi i tregut të lirë është përshkrim i saktë i ekonomisë ruse. “Në vitet ’80-’90 u zhvillua ndoshta njënri prej eksperimenteve-kyçe në histori, po qe se krahasojmë Rusinë dhe Kinën lidhur me mënyrën se si po e zhvillojnë kalimin nga një sistem në një tjetër, në rastin konkret, nga ekonomia komuniste në atë të tregut të lirë. Në Kinë, gjatë kësaj periudhe, ka ndodhur rritja më e madhe në historinë njerëzore. Në Rusi ka ndodhur rënia më e madhe në historinë e regjistruar për një ekonomi industriale, rënia më e madhe e prodhimit të përgjithshëm kombëtar në kohë paqeje apo lufte”. Zoti Ellerman thotë se mësimi i nxjerrë është i qartë: Rusia mund të kishte zgjedhur një rrugë tjetër. Në atë kohë kishte kërkesa për ndjekjen e politikave alternative. Në epokën e Gorbachevit, ndodhej në zbatim e sipër një program për privatizim shkallë shkallë. “Për këtë lloj ndryshimi, është e nevojshme të veprohet shkallë-shkallë dhe në mënyrë pragmantike. Është e nevojshme të zhvillohen eksperimente dhe veprimi i ngjashëm me sulmin e rrufeshëm me të gjithë forcën, i tipit ”të arrihet gjithçka njëherësh dhe njerëzit të binden pa kushte përpara se opozita apo madje njerëz të zakonshëm të kanë shansin të mbrojnë interesat e tyre”, do të çonte në katastrofë”. Kjo ka ngjarë në Rusi, thotë zoti Ellerman. Ai tërheq vëmendjen se po shpreh mednimin e tij personal dhe jo atë të Bankës Botërore.

Ndërkohë që institucionet e vjetra u shkatërruan, vëren ai, të rejat ishin larg prej asaj që ishin planifikuar. Rezultati ishte një ekonomi e pangjyrë, që kryesisht i ishte detyruar një populli i cili nuk kishte mundësi të zgjidhte.

XS
SM
MD
LG