Lidhje

Mendimet e analistëve për qeverinë e re maqedonase - 2001-05-17


Maqedonia, e ndodhur përballë një kryengritjeje në rritje nga ana e shqiptarëve, ka tani një qeveri të re të bashkimit kombëtar, në të cilën bëjnë pjesë përfaqësues të partive politike të sllavëve maqedonas dhe të shqiptarëve të Maqedonisë. Ish-diplomati amerikan, Daniel Serwer, i cili tani është drejtor i Nismës Ballkanike, pranë Institutit Amerikan të Paqes, me seli në Uashington, sapo është kthyer nga Maqedonia. Ai mendon se prirja drejt luftës civile në Maqedoni mund të përmbyset.

Zoti Serwer ka besim se qeveria e re do të merret me çështjet thelbësore që i bëjnë shumë shqiptarë të Maqedonisë të mendojnë se janë qytetarë të dorës së dytë. Për shëmbull ai thotë se mund t’i bëhen ndryshime hyrjes së kushtetutës maqedonase, e cila u referohet maqedonasve dhe grupeve të tjera etnike, një frazë që mund të kuptohet sikur sllavët e Maqedonisë vijnë të parët.

“Unë mendoj se ekzistojnë të gjitha mundësitë që hyrja e kushtetutës të ndryshohet. Dhe një numër figurash politike në Maqedoni, duke përfshirë edhe presidentin Trajkovski, kanë lënë të kuptohet se kjo është e mundshme. Se çfarë do të ndryshohet me saktësi, kjo nuk është e qartë”, thotë zoti Serwer. Ai shpreson që qeveria e re do të lejojë një përdorim më të gjërë të gjuhës shqipe në administratën publike. Por ndërsa zoti Serwer është i palëkundur në pikëpamjen se ankesat e shqiptarëve etnikë duhet të merren parasysh, ai nuk sheh vend në ndonjë zgjidhje politike për kryengritësit e armatosur.

Kjo është edhe pikëpamja e zonjës Ljubica Acevska, e cila deri pak kohë më parë ishte ambasadore e Maqedonisë në Uashington, kurse tani është bashkëpunëtore shkencore në Qendrën Woodrow Wilson. Zonja Acevska thotë se kryengritja duhet të marrë fund, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje politike. “Është shumë e rëndësishme, thotë ajo, që autorët e dhunës të ulin armët, t’i japin fund dhunës dhe pastaj të vazhdojnë me mjete paqësore. Mendoj se kjo është e vetmja rrugë që duhet ndjekur për arritjen e rezultateve të qendrueshme”.

Zonja Acevska është shumë optimiste për perspektivat e qeverisë së re. Ajo mendon gjithashtu se Maqedonia ka nevojë për më shumë ndihmë ekonomike. Zoti Serwer është i bindur se shumica e shqiptarëve të Maqedonisë janë kundër dhunës. “Unë mendoj se shumica, dua të them pjesa shumë më e madhe e shqiptarëve të Maqedonisë, thekson ai, duan që problemi të zgjidhet në mënyrë paqësore. Numri i atyre që shkaktojnë probleme është shumë i vogël”, thotë zoti Serwer.

Nuk ka një mendim për të cilin të jenë të gjithë dakord, lidhur me numrin e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, meqenëse nuk është bërë regjistrimi i popullsisë në shkallë kombëtare, për më shumë se një dhjetëvjeçar. Shumica e analistëve janë të mendimit se shqiptarët mund të përbëjnë një të tretën e popullsisë së Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG