Lidhje

Gabimet e fundit të FBI-së - 2001-05-17


Disa anëtarë të Kongresit amerikan kanë bërë thirrje për një shqyrtim rrënjësor të metodave dhe procedurave të përdorura nga Byroja Federale e Hetimeve pas zbulimit se FBI-ja nuk kishte paraqitur të gjitha të dhënat lidhur me çështjet e autorit të shpërthimit në Qytetin Oklahoma, Timothy McVeigh. Mosparaqitja e këtyre të dhënave është aspekti më i fundit në serinë e gabimeve të rënda të viteve të fundit që kanë dëmtuar imazhin dikur pa të meta të FBI-së.

Gabimi i Byrosë Federale të Hetimeve lidhur me dokumentet në çështjen e zotit McVeigh detyroi Sekretarin e Drejtësisë, John Ashcroft, ta shtyjë një muaj ekzekutimin e tij. Mirëpo, krahas pasojave për çështjen McVeigh, ky rast ka ngjallur dyshime edhe rreth aftësisë së Byrosë Federale të Hetimeve për të kryrer punën e saj. Senatori republikan Larry Craig nga shteti Idaho u pyet gjatë një interviste me rrjetin televiziv CBS rreth dëmit që i është shkaktuar imazhit të FBI-së: “Besimi në Byronë Federale të Hetimeve është në themel të shoqërisë. Kur agjencitë e forcave të rendit bëjnë një gabim dhe nëse duket se ky gabim është diçka e zakonshme apo tradicionale brenda sistemit, atëherë ne duhet të marrin masa për ndreqjen e tij”.

Mosparaqitja e dokumenteve të premtuara nga ana e FBI-së në çështjen McVeigh, është gabimi i fundit në një seri problemesh serioze që kanë pllakosur këtë agjenci gjatë tetë viteve të fundit. Byroja Federale e Hetimeve u kritikua ashpër për mënyrës se si trajtoi krizën e vitit 1993 me degën e cultit fetar Davidian në Texas që përfundoi me shpërthimin e një zjarri të furishëm, në të cilën humbën jetën rreth 80 veta. Kritikët në radhët e anëtarëve të Kongresit sulmuan FBI-në për atë që ata e shikuan si një proces të shkujdesur hetimor lidhur me akuzat se shkencëtari Wen Ho Lee i kishte dhënë Kinës të dhëna të fshehta bërthamore. Shumica e akuzave të ngritura ndaj zotit Lee u tërhoqën më në fund pjesërisht për shkak të deponimeve çorientuese të punonjësve të FBI-së.

Kohët e fundit, punonjësi i Byrosë Federale të Hetimeve, Robert Hansen, u arrestua dhe kundër tij u ngritën akuza se kishte spiunuar për Rusinë, një shkleje e rëndë sigurimi që burimet e zbulimit thonë se ka komprementuar ndjeshëm operacionet e kundërzbulimit brenda Shteteve të Bashkuara. Si rrjedhim i gabimit të fundit të FBI-së lidhur me çështjen McVeigh, ligjvënësit po përgatiten për seanca hetimore që synojnë njëjtësimin e personave përgjegjës.

Mirëpo, shumë ligjvënës thonë se çdo ndryshim real brenda FBI-së do të realizohet shumë ngadalë. Senatori republikan Charles Grassley nga shteti Iwoa, është një nga ata që kritikojnë shpesh Byron Federale të Hetimeve. Ai tha gjatë një interviste në rrjetin televiziv ABC se FBI-ja duhet të bëjë ndryshime përsa i përket tonit dhe mënyrës së veprimit: “Mendoj se problemi qendron tek kultura e drejtimit. Unë e quaj atë kulturë kaubojsh. Është një lloj kulture që vë imazhin, marrëdhëniet publike dhe famën para parimeve themelore të FBI-së”.

Megjithatë, nuk ka dyshim se Byroja Federale e Hetimeve vazhdon të shikohet së një nga organiatat më të mira kundër krimit në botë. Mes atyre që vihen në mbrojtje të FBI-së është Morris Dees, kreu i Shoqërisë Ligjore Southern Poverty, një grup që vëzhgon veprimtaritë e grupeve ekstremiste në Shtetet e Bashkuara. “Mirëpo, mendoj se në të njëjtën kohë ne duhet të jemi mirënjohës ndaj FBI-së. E di se shumë njerëz anokehn kundër Byrosë Federale të Hetimeve, por ishte pikërisht FBI-ja ajo që e arrestoi Timothy Mcveighn pak kohë pasi kreu krimin”.

Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve, Louis Freeh, ka njoftuar kohët e fundit se do të largohet nga detyra muajin tjetër dhe administrata e presidentit Bush ka filluar procesin e kërkimit për një drejtor të të ri. Pasardhësi i zotit Freeh duhet të miratohet nga Kongresi dhe disa ligjvënës kanë lënë tashmë të kuptohet se ata do të shikojnë për një person të gatshëm si edhe ata vetë për të filluar reformat brenda Byrosë Federale të Hetimeve.

XS
SM
MD
LG