Lidhje

Kalendari historik i datës 18 maj - 2001-05-18


Më 18 maj 1980 shpërtheu me forcë vullkani i Malit Saint Helens, në pjesën jugperëndimore të shtetit të Uashingtonit. Shpërthimi bëri të avullojnë më se 7 kilometra kubë dhe e shkëmbinj nga maja e malit e mbuluar me dëborë, duke e ulur lartësinë e malit me 421 metra. Shpërthimi i vullkanit rrafshoi çdo pemë në një sipërfaqe prej 310 kilometrash katrore përreth malit dhe shkaktoi vdekjen e të paktën 60 vetave në atë rajon me popullsi të rrallë. Forca e shpërthimit hodhi në stratosferë gaz të mbinxehur dhe mijëra tonë hi vullkanik. Erërat e furishme i shtynë retë që qendronin pezull në atmosferë drejt lindjes, duke zënë diellin dhe duke mbuluar me disa metra hi vullkanik pjesë të Uashingtonit lindor dhe të Montanës perëndimore. Por shpërthimi i vullkanit pati të paktën një anë të mirë. Pasi shkatërroi të korrat e një viti, hiri vullkanik përmirësoi cilësitë e tokës në shtetin lindor të Uashingtonit, ku kultivimi i pemëve frutore përbën një degë të rëndësishme të bujqësisë.

Më 18 maj 1933 presidenti Franklin Roosevelt nënshkroi një ligj, në bazë të të cilit krijohej Autoriteti i Luginës Tennessee. Ligji parashikonte furnizimin me energji elektrike të rajoneve rurale të 7 shteteve. Zoti Roosevelt kërkonte një plan të bashkërenduar që do të përfshinte industrializimin, ruajtjen e tokës bujqësore, ripyllëzimin dhe prodhimin e energjisë elektrike në këtë rajon të prapambetur. Ligji i ri parashikonte krijimin e një komiteti që do të administronte punimet për ndërtimin e digave dhe të hidrocentraleve në Tennessee dhe në 6 shtete të tjera jugore. Autoriteti i Luginës Tennessee ndërtoi gjithashtu një sistem rrugësh të brendshme ujore, për të inkurajuar përdorimin e mauneve të mallrave. Autoriteti vendosi lidhje me komunitetet lokale duke shitur plehëra dhe energji elektrike të lirë dhe duke ndërtuar projekte për vaditjen dhe kullimin e tokave dhe duke përmirësuar kushtet e lundrimit në lumin Tennessee.

XS
SM
MD
LG