Lidhje

Uashingtoni për qeverinë e re maqedonase - 2001-05-18


Votimi i parlamentit të Maqedonisë për të miratuar një qeveri të bashkimit kombëtar dërgon një mesazh të fortë. Vendimi tregon që shumica e popullit të Maqedonisë e dënon dhunën, dhe që ekstremistët shqiptarë, veprimet e të cilëve kërcënojnë ta hedhin vendin në luftë civile, janë politikisht të izoluar. Forcat maqedonase të sigurimit janë përleshur me kryengritësit shqiptarë që nga muaji shkurt.

Kryengritësit e të ashtuquajturës Ushtria Çlirimtare Kombëtare ose UÇK, kanë ndërmarrë sulme të pa provokuara, kanë pushtuar territore dhe po punojnë për të shkatërruar demokracinë maqedonase. Civilët mbeten në rrezik në fshatrat e pushtuara nga UÇK-ja afër Kumanovës, skenë e luftimeve të fundit midis forcave qeveritare dhe guerriljeve. Ekstremistët pretendojnë se po u shërbejnë interesave të bashkëatdhetarëve të tyre shqiptarë. Por shumë shqiptarë bashkohen me maqedonasit duke dashur të gjejnë zgjidhje për mosmarrëveshjet e tyre politike nëpërmjet dialogut. Ata nuk duan që vendi i tyre të bjerë në llojin e gjakderdhjes që ndodhi në Bosnje dhe Kroacinë fqinje.

Në Kumanovë, zyrtarë të pushtetit lokal si Sllobodan Kovaçevski dhe Feriz Dervishi po ndihmojnë për nxitjen e tolerancës etnike. Zoti Dervishi, një shqiptar, u ka bërë thirrje bashkëatdhetarëve të tij që të mbrojnë fëmijët e tyre nga rreziku i rekrutimit në ushtrinë guerrilase. Zoti Kovaçevski, një maqedonas, ka dënuar sulmet e civilëve maqedonas si ato që shkatërruan dhjetra dyqane të shqiptarëve në Manastir më 1 maj. Në se shumica e maqedonasve dhe shqiptarëve zgjedhin rrugën e maturisë, respektit të ndërsjellë dhe dialogut, UÇK-ja nuk mund të ketë sukses në kryengritjen e saj të armatosur.

Qeveria e re e koalicionit ka mbështetjen e të gjitha partive kryesore politike shqiptare dhe partive të tjera maqedonase, si dhe të disa grupeve më të vogla politike. Kjo është arsyeja që Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera e mbështesin qeverinë maqedonase, do të bashkëpunojnë me të për të çuar përpara reformat, dhe u bëjnë thirrje Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare që të ndërpresë veprimet e dhunës dhe të tërhiqet tani.

XS
SM
MD
LG