Lidhje

Analistët për “Shqipërinë e Madhe” - 2001-05-18


Kryengritësit shqiptarë, të njohur si Ushtria Çlirimtare Kombëtare, ose UÇK, thonë se mbrojnë të drejtat kushtetuese, arsimore dhe gjuhësore, të pakicës etnike shqiptare të Maqedonisë. Kurse autoritetet maqedonase thonë se kryengritësit duan t’i bashkojnë rajonet me popullsi shqiptare me Kosovën fqinje. Për t’iu referuar këtij koncepti shpesh herë përdoret termi Shqipëri e Madhe, ose Kosovë e Madhe. Një koncept i tillë ngjall ndërmjet grupeve të ndryshme në rajon, po ato reagime që ngjallte ideja e një Serbie të Madhe, e cila u bë shkak për 4 luftra jugosllave gjatë dhjetëvjeçarit të kaluar.

Presidenti i Maqedonisë, Boris Trajkovski, kryeson një koalicion qeveritar të përbërë nga parti politike të maqedonasve dhe shqiptarëve. Gjatë një udhëtimi të kohëve të fundit në Shtetet e Bashkuara, duke folur në Institutin Amerikan të Paqes, presidenti Trajkovski tha se “demokracia shumë-kulturore e Maqedonisë, është ndërtuar sipas “standarteve të larta” për “mbrojtjen e të drejtave të pakicave.” Dhe kjo demokraci, shtoi ai, bazohet në pjesëmarrjen aktive të qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë në qeveri, në të gjitha strukturat e pushtetit të saj.

“Në Republikën e Maqedonisë nuk ka arsye të shëndoshë për akte të tilla dhune. Në Maqedoni nuk praktikohen diskriminimi apo shtypja. Kriza në Maqedoni është e importuar dhe përpjekjet për ta destabilizuar Maqedoninë vijnë nga jashtë. Është e qartë se kjo është një orvatje për ta transferuar krizën e Kosovës në Maqedoni. Terroristët nuk janë duke luftuar për të drejtat e askujt. Ata janë duke luftuar për territorin e tyre. Ky është terrorizëm i ekstremistëve të armatosur shqiptarë”, tha presidenti maqedonas.

Presidenti Trajkovski thotë se rrënjët e problemit janë në Kosovë, ku ekstremistët shqiptarë, janë duke u përpjekur për një shtet etnikisht të pastër. Eran Fraenkel, drejtor i zyrës maqedonase të studimeve për mirëkuptim të ndërsjellë, me seli në Shkup, thotë se koncepti i Shqipërisë së Madhe është në vetvete një term i gabuar dhe nuk pasqyron me përpikmëri as realitetet politike në Maqedoni dhe as marrëdhëniet e shqiptarëve maqedonas me popullsitë shqiptare në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi.

“Mendoj se termi Shqipëri e Madhe e ka humbur kuptimin dhe tani është zëvendësuar nga termi Kosovë e Madhe, meqenëse ngjarjet e dy vjetëve të fundit në Kosovë lidhen në mënyrë më të drejtpërdrejtë me atë që po ndodh sot në Maqedoni. Para luftës së Kosovës dhe krizës së refugjatëve përdorej zakonisht termi Shqipëri e Madhe, kurse tani përdoret termi Kosovë e Madhe. Ajo që nënkupton ky term është e ashtuquajtura dëshirë e një shumice shqiptarësh për të jetuar në një entitet politik që do të përfshinte të gjithë shqiptarët që tani jetojnë në tri ose ndoshta 4 shtete të ndryshme”, thotë zoti Frankel.

Ndërsa qeveria maqedonase thotë se pas sulmeve të kryengritësve qëndron dëshira për të krijuar një Shqipëri të Madhe, kryengritësit shqiptarë e mohojnë një gjë të tillë. Por çfarë mendon populli maqedonas? “Shumica ndiejnë neveri për dhunën,, thotë zoti Fraenkel, pasi maqedonasit mendojnë se janë sulmuar. Pastaj ata fillojnë të thonë se shqiptarët duan të bashkojnë rajonet e Maqedonisë perëndimore të banuara kryesisht nga shqiptarë me një entitet tjetër politik shqiptar, që zakonisht mendohet se është Kosova.”

Zoti Fraenkel mendon se në analizë të fundit shqiptarët e Maqedonisë do të parapëlqenin më shumë të mbeteshin qytetarë të Maqedonisë, sesa të bëheshin qytetarë të një entiteti tjetër politik, pavarësisht në se ky entitet do të quhej Kosovë, Kosovë e Madhe, Shqipëri e Madhe, apo me një emër tjetër çfarëdo. Ndërmjet shqiptarëve të Maqedonisë dhe atyre të Kosovës ka disa lidhje historike e të tjera, që nuk ekzistojnë ndërmjet shqiptarëve të Maqedonisë dhe shqiptarëve të vetë Shqipërisë. Pra, shton zoti Fraenkel, në se shohim ndonjë tendencë të mundshme për krijimin e një entiteti më të madh politik shqiptar, ky do të ishte një Kosovë e Madhe dhe jo një Shqipëri e Madhe.

Kryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta, thotë se vendi i tij është thellësisht i shqetësuar nga dhuna në Maqedoni dhe ndikimi i saj në stabilitetin rajonal. “Ne i kemi dënuar këto veprime ekstremiste që në fillim dhe e kemi bërë të qartë se mbështesim tërësinë tokësore dhe sovranitetin e Maqedonisë. Dua të theksoj se ne e dimë fare mirë fatin e Serbisë së Madhe. Dhe një Shqipëri e Madhe nuk do të kishte një fat më të mirë. Ne nuk mendojmë se e ardhmja e rajonit mund të mbështetet në ndryshimin e kufijve. Ne kemi bindjen e thellë se shqiptarët duhet të integrohen aty ku jetojnë dhe të përmirësojnë të drejtat e tyre me rrugë demokratike. Por më e rëndësishmja është se udhëheqja maqedonase do t’i vazhdojë përpjekjet për të përmirësuar konkretisht gjendjen e shqiptarëve të Maqedonisë”, tha kryeministri Meta.

Botuesi i gazetës Zëri që del në Kosovë, Blerim Shala, thotë se koncepti i Shqipërisë së Madhe është politikisht jorealist dhe prandaj nuk kërkohet as nga shqiptarët e Kosovës dhe as nga ata të Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG