Lidhje

Kalendari historik i datës 20 maj - 2001-05-21


Më 20 maj 1927,aviatori amerikan, Charles Lindbergh u nis nga një pistë në afërsi të qytetit të Nju Jorkut në udhëtimin e parë vetëm përmes Oqeanit Atlantik. Disa nga miqtë e tij e panë aeroplanin e Lindbergut, të quajtur Spirit of Saint Louis, kur u ngrit nga pista plot brazda dhe me baltë. 33 orë e 39 minuta më vonë, rreth 100 mijë njerëz i uruan atij plot gëzim mirëseardhjen në aeroportin Le Bourget (Lë Burzhe) pranë Parisit. Fluturimi i Charles Lindbergut përmes Atlantikut elektrifikoi gjithë botën. Kjo arritje e bëri pilotin e shërbimit postar amerikan, dikur të panjohur, një figurë të famshme në gjithë botën. Pikëpamjet e tij për të ardhmen e aviacionit filluan t’i kërkojnë me shumë zell qeveri dhe korporata të ndryshme. Më vonë Charles Lindbergh u bë veprimtar kundër luftës dhe një figurë kontradiktore, i akuzuar nga disa se përkrahte Gjermaninë Naziste dhe se kishte pikëpamje antisemite. Por gjatë Luftës së Dytë Botërore, si civil, ai mori pjesë në misione luftarake ajrore në Paqësor, kundër pilotëve japonezë, duke rrëzuar disa aeroplanë. Pas luftës Lindbergu ishte konsulent i Shoqërisë së Fluturimeve Ajrore, Pan American World Airways dhe gjeneral brigade në forcat rezerviste ajrore të Shteteve të Bashkuara. Ai vdiq nga kanceri në vitin 1974 në moshën 72 vjeçare.

Më 20 maj 1860,partia e re politike republikane caktoi avokatin nga Ilinois, Abraham Lincoln, si kandidatin e saj për president në zgjedhjet e vitit 1860. Kandidati kryesor në fillim të konventës ishte William Seward i Nju Jorkut. Megjithatë ai u ndodh përballë pengesash të pakapëcyeshme në kuvendin e Partisë në Chicago. Konservatorët u trembeshin deklaratave të tij rreth pashmangësisë së luftës për problemin e skllavërisë, si edhe rreth një ligji më të lartë se kushtetuta. Në përpjekje për të gjetur një kandidat që mund të fitonte në shtete të tilla të moderuara si Ilinoi dhe Pensilvania, republikanët emëruan Abraham Linkolnin si kandidat për president dhe senatorin Hannibal Hamlin nga shteti Maine, si kandidat për nënpresident. Zoti Linkoln zhvilloi fushatë të suksesshme, duke u mbështetur në platformën republikane që bënte thirrje për heqjen e skllavërisë në territoret e Shteteve të Bashkuara , si edhe për përmirësimin e rrugëve, për një qeveri më të efektshme dhe për ndërtimin e një hekurudhe deri në brigjet e Paqësorit.

XS
SM
MD
LG