Lidhje

Intervistë me të dërguarin e OSBE-së për Maqedoninë - 2001-05-21


Intervistë e ambasadorit Frowick për korrespondenten tonë në Shkup, Linda Karadaku.

VOA: Zoti ambasador, mesazhi juaj i fundit në Maqedoni ishte që grupet e armatosura të lënë armët, juve u dhatë një rrugëdalje, pjesëmarrje në procesin politik, që është më e rëndësishmja.

Frowick: Nuk jam unë që jap rrugëdalje, janë autoritetet legjitime të Maqedonisë që kanë dhënë shenja që ata njerëz që janë përfshirë në kryengritjen e armatosur, që po sfidojnë qytetarët e Maqedonisë dhe botën në një mënyrë, duke u mbajtur në vrimat e tyre të dhelprave me mitralozë. Nëse ata do të lënë armët, kam besim nga bisedimet me drejtuesit e vendit, se do të jetë e mundur që të bëhet një aministi për të gjithë ata që nuk janë të akuzueshëm nga gjyqi i Hagës për ish-Jugosllavinë për krime lufte ose që nuk kanë të kaluar kriminale. Të tjerët mund të kenë mundësi për aministi dhe për rehabilitation në shoqëri përmes një programi që mendoj se do të ndodhë pak a shumë shpejt. Sapo ta bëjnë këtë, do të kenë mundësi të marrin pjesë në një dialog politik, që është e vetmja rrugë për të dalë nga kriza. Fillimisht, ata mund të marrin pjesë direkt duke iu bashkuar njërës prej partive ekzistuese të zgjedhura në parlament, PDSH e zotit Xhaferri ose PPD e drejtuar nga zoti Imeri, ose mund të marrin pjesë jo-direkt, duke bërë konferenca shtypi, duke folur si duan, me cilindo entitet të ri që duan ta përshkruajnë veten. Ata nuk mund të krijojnë një parti të vetën dhe të vijnë direkt në negociatat qeveritare, derisa të bëhen zgjedhjet e tjera dhe kjo mund të bëhet në varësi të votave dhe mbështetjes popullore për tu zgjedhur në parlament. Por ka gjithë këto mënyra për ta që të lëvizin nga aty ku janë në një dialog politik.

VOA: Ju po thoni që ata njerëz mund të bëhen përfaqësues politikë nëse lënë armët, apo jo?

Frowick: Ajo që është urgjente për ta është që të lënë armët dhe të ndalin konfrontimin e armatosur sepse nëse e bëjnë këtë, fakti që do të vazhdojë të ketë kaq shumë mungesë stabiliteti në vend, do të minojë ata që po mundohen të ecin përpara me axhendën për reforma. Kështu që pikërisht objektivat që shumica e shqiptarëve në vend, duan të arrijnë, do të dëmtohet sepse vazhdimi i pranisë së njerëzve të armatosur nga pala e UÇK-së dhe mungesa e stabilitetit që vjen nga kjo, nuk do të ndihmojë rrugën e progresit drejt reformave. Si mund të pritet që maqedonët të plotësojnë objektivat e palës shqiptare nëse ende përballen me këtë lloj kryengritje?

VOA: Por zoti ambasador, mund të jetë një lloj ironie sepse gjithë ky proces, në një mënyrë kaq intensive, nisi për shkak të luftimeve dhe atyre njerëzve të armatosur? Dhe tani, komuniteti ndërkombëtar, edhe vetë shqiptarët, po u kërkojnë thjeshtë të lënë armët pa qenë pjesë e gjithë procesit.

Frowick: Jo, nuk po themi: “pa qenë pjesë e gjithë procesit”. Përshkrova shumë mënyra me të cilat ata mund të jenë pjesë e procesit.

VOA: Por maqedonët nuk do t’i lejonin ata…

Frowick: Jo, maqedonët do t’i lejojnë të marrin pjesë, sic thashë, jo direkt që të thonë çfarë të duan sapo të jenë rehabilituar, ose munden edhe direkt, përshembull, t’i bashkohen partisë së zotit Xhaferri dhe të ndikojnë pozicionin e PDSH në dialogun direkt me qeverinë ose nga brenda mekanizmave të një komisioni të partisë. Kështu që dera nuk është e mbyllur për ta, përkundrazi, dera është e hapur për ta, por së pari, ata duhet të lënë armët.

VOA: Grupet e armatosura, UÇK, thonë se duan të qëndrojnë atje në pozicionet e tyre dhe ndërkohë të jenë pjesë e tryezës së negociatave.

Frowick: Mendoj se njerëzit gjithnjë e më shumë, nuk po i durojnë dot më ato që thonë ata. Ata erdhën këtu, e destabilizuan vendin përmes forcës së armatosur, këta janë njerëz që sipas meje, e nisën këtë nga Kosova, njësi të UÇK-së që ishin jashtë kontrolli në Kosovë. Flisja për këtë me drejtues legjitim shqiptarë të Kosovës menjëherë sapo mbaroi lufta në 1999, pastaj disa prej tyre dolën me një qasje radikale në Luginën e Preshevës dhe përfundimisht erdhën këtu me një qasje radikale në Maqedoni. Ata nuk kanë mandat që të jenë këtu dhe kam besim se shumica dërrmuese e shqiptarëve etnikë në vend duan që ata ta ndalin këtë në mënyrë që të ketë rast për hapjen e një dialogu politik, sepse qytetarët këtu e kuptojnë se ka një rast të artë për progres nëse mund ta lëmë pas luftën e armatosur, dhe të ecim përpara me kursin politik të veprimit.

VOA: Nëse ata nuk e dëgjojnë këshillën tuaj dhe vazhdojnë me kursin aktual, çfarë mund të ndodhë, cilat mund të jenë pasojat për njerëzit në Maqedoni, veçanërisht për shqiptarët?

Frowick: Mendoj se gjithkush e kupton se jemi në anën e thikës në marrjen e një vendimi, do të jetë ose njëri ose tjetri: UÇK do të pranojë logjikën e asaj që po them këtu, kursin që do të japë rezultate të qëndrueshme, politikisht, ose nëse ata mbeten me kokëfortësi kundër shumë ofertave që u janë bërë, si rehabilitimi, pjesëmarrja në proçesin politik, premtimi i tejkalimit të shumë shqetësimeve të një kohe të gjatë për shqiptarët etnikë në vend. E gjitha kjo është e mundur tani. Dhe ata mund ta dëmtojnë të gjithën nëse nuk ndalen sepse është e qartë se drejtuesit ushtarake maqedonë janë gjithnjë e më shumë të shqetësuar për gjendjen me të cilën përballen me njerëz që mbajnë pjesë të territorit të këtij vendi me forcën e armatosur. Asnjë vend nuk mund ta tolerojë këtë, nuk di ndonjë vend që do ta toleronte këtë. Kështu që nëse nuk e zgjidhim këtë gjë me shpejtësi tani, në një moment të së vërtetës sipas meje, atëherë forcat e armatosura do të lëshohen dhe atëherë, kush e di se çfarë do të ndodhë. Për shkak të madhësisë së komunitetit shqiptar është vështirë të thuhet se ku mund të mbarojë e gjitha. Është shumë, shumë e rrezikshme dhe e vetmja logjikë që më duket se është për palën shqiptare, është që të kuptojë jo vetëm për planet tërheqëse që shpjeguam, por edhe nevojën për t’i ndjekur ato.

VOA: A besoni zoti ambasador se ky është fillimi i luftës së vërtetë në Maqedoni, nëse ushtria fillon operacionin nëse njerëzit e armatosur nuk tërhiqen?

Frowick: Mund të jetë, mund të jetë. Kush e di çfarë skenari mund të jetë, ata mund të kenë mundësi t’i rimarrin ato fshatra dhe mund të jetë një operacion i përmbajtur, por është shumë, shumë në pikëpyetje se çfarë mund të ndodhë në të vërtetë.

VOA: Po flasim për njerëzit e armatosur, por ka njerëz të thjeshtë në Maqedoni, shqiptarë të thjeshtë që duan një jetë të mirë dhe ndryshime natyrisht.

Frowick: Po flas për ta.

VOA: Cilat janë garancitë që u ofroni qytetarëve të thjeshtë shqiptarë në Maqedoni se të drejtat e tyre do të respektohen, se qeveria nuk do të bëjë një fushatë në fund ndaj këtyre njerëzve, duke i akuzuar për lidhje me “terroristët”, lidhje me njerëzit e armatosur?

Frowick: Thjeshtë shpresoj se ata kanë besim tek unë, që u them se megjithë përvojat që kam pasur këtu, nga konsultimet e thella me të gjithë drejtuesit, edhe shqiptarë, edhe maqedone, me të dyja palët, se me të vërtetë, shqiptarët etnikë janë në pikën më premtuese në historinë e këtij vendi. Ata kanë para vetes mundësinë e reformave të mëdha, thelbësore, ato lloj gjërash për të cilat kanë folur në historinë e vendit, që është tani rreth 10 vjet në pavarësi. Kam qenë këtu, jashtë dhe brenda vendit pothuaj gjithë këtë kohë. Janë çështjet e regjistrimit, të popullsisë, shkollimit, vetëqeverisjes dhe kështu me rradhë, kushtetuta. Kanë qenë në tryezë gjithë kohën. Kushtetuta përshembull nuk u mbështet kurrë nga partitë politike shqiptare, kur u votua për të, pati bojkotim. Është një çështje e mungesës kronike të stabilitetit, të kesh një përqindje të madhe të popullsisë, nuk e di, rreth një e treta ndoshta që thonë se nuk mbështesin kushtetutën e vendit. Diçka duhet të bëhet për këtë. Ky është rasti për të tejkaluar këto probleme dhe është rast që duhet të kapet dhe jo të hidhet.

VOA: A besoni se nëse lufta ndodh në Maqedoni, mund të shkojë drejt një lufte ballkanike sepse vende të tjera mund të përfshihen?

Frowick: Ky ka qenë gjithmonë rreziku. Më kujtohet kur erdha këtu në 1992. Ne ishim gjithmonë të shqetësuar se një shpërthim ose një luftë civile në Maqedoni, ose një luftë midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës në Kosovë mund të çonte në një efekt domino. Është një rrezik i vërtetë. Shpesh kam thënë se jam optimist pa iluzione dhe besoj se ende ka një shans për të arrihet një lloj mirëkuptimi që do të mundësojë gjithkënd të mënjanojë skenarin më të keq, se është ende e mundur të arrihet deri tek ata drejtues të UÇK-së që deri tani rezistojnë me kokëfortësi çdo lëvizje. Komuniteti ndërkombëtar po punon me drejtuesit legjitimë politikanë shqiptarë në Maqedoni dhe vetë maqedonët, për të krijuar një skenar për aministi, rehabilitim dhe jetë politike në vend dhe të shkohet drejt një axhende që është shumë premtuese për të forcuar kohezionin e vendit dhe në këtë kuptim, është edhe në interesin e maqedonëve. Nëse të gjithë janë gati ta kapin dhe duhet të kapet, mendoj se logjika e gjendjes është e tillë që drejtuesit e përgjegjshëm shqiptarë do ta bindin UÇK-në të kapë këtë rast tani, kjo është koha.

XS
SM
MD
LG