Lidhje

Ligjet e imigracionit në SHBA - 2001-05-22


Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi me 336 vota në favor dhe 43 kundër, projektligjin për të zgjatur afatin e programit të vizave që u jep mundësinë disa imigrantëve të paligjshëm të qendrojnë në Shtetet e Bashkuara ndërkohë që shqyrtohen lutjet e tyre për status të ligjshëm. Nëse ky bëhet ligj, imigrantët e paligjshëm do të kenë edhe katër muaj të tjerë për të paraqitur dokumentet e nevojshme. Duhej që ky program të përfundonte më 30 prill. Mirëpo një sërë vonesash në sigurimit e informatave të rëndësishme për disa imigrantë të paligjshëm ka çuar në kërkesat për zgjatjen e afatit të programit.

Disa anëtarë të Kongresit kërkonin ta bënin këtë program të përhershëm. Të tjerë kundërshtonin çdo zgjatje të afatit. Rezultati që u arrit me ndihmën e administratës së presidentit Bush, ishte një kompromis klasik politik. Kryetari i komisionit juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësi republikan James Sensebrenner nga shteti Uiskansën, tha se imigrantët e paligjshëm që kanë hyrë në Shtetet e Bashkuar para 21 dhjetorit dhe nuk arritën t’i paraqisnin dokumentet brenda afatit të 30 prillit, do t’u jepen edhe katër muaj për këtë gjë. Mirëpo ligjvënësi demokrat John Coyoers nga shteti Michigan, tha se ky projektligj nuk është mjaft i mëshirshëm. Ai theksoi se po të merret parasysh numri i madh i rasteve dhe i dokumenteve që duhen paraqitur së bashku me lutjet, katër muaj nuk janë të mjaftueshme për disa nga ata që kërkojnë visa dhe leje pune. Programi u jep imigrantëve të paligjshëm mundësinë të presin për këto dokumente në Shtetet e Bashkuara, nëse ata paguajnë një mijë dollarë dhe mund të provojnë se kanë një anëtar të familjes apo një punëdhënës që ka statusin e banorit të përhershëm dhe është i gatshëm të shërbejë si garantor. Pa këtë program, këta imigrantë të paligjshëm do të ishin të detyruar të kthehen në vendet e tyre për të pritur për rezultatin e shqyrtimit të dokumenteve të tyre. Disave mund t’u duhej të presin për vite të tëra.

Ligjvënës nga zonat me komunitete të mëdha imigrantësh po u prijnë përpjekjeve për ta bërë këtë program të përhershëm. Ligjvënësi demokrat, Havier Becerra nga Kalifornia thotë se zgjatja katër mujore e programit është vetëm një zgjidhje e përkohëshme. “Nuk është mirë, thekson zoti Becerra, nëse lë një fëmijë jashtë. Nuk është mirë nëse lë një bashkëshort larg shtëpisë. Nuk është mirë nëse i thua një prindi, një vajze, apo një motre, më vjen shumë keq, por ka kaluar afati.”

Në bazë të kushteve të projektligjit të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, periudha katër mujore do të fillojë menjëherë posa projektligji të nënshkruhet në ligj nga presidenti. Vëmendja tani po përqendrohet në senat, ku po shqyrtohet një propozim për zgjatjen e afatit të programit për një vit.

XS
SM
MD
LG