Lidhje

Kalendari historik i datës 22 maj - 2001-05-22


Më 22 maj 1972, Richard Nixon u bë presidenti i parë amerikan që vizitoi Bashkimin Sovjetik. Presidenti dhe zonja Nixon u pritën në aeroportin e Moskës nga zyrtarët më të lartë sovjetik. Për nëntë ditë me rradhë, presidenti Nixon zhvilloi takime me sekretarin e përgjithshëm të partisë Komuniste, Leonind Brezhnev dhe presidentin Nikolai Podgorny. Pjesa më e rëndësishme e vizitës së zotit Nixon ishte nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi për hapësirën midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik që edhe çoi drejt misionit Apollo-Soyuz në korrik të vitit 1975. Zoti Nixon dhe zoti Brezhnev gjithashtu nënshkruan traktatin e parë që kufizonte prodhimin e armëve strategjike.

Më 22 maj 1868, një grup banditësh që e quanin vetën banda Reno kryen grabitjen e parë të një treni në Shtetet e Bashkuara. Banda, që udhëheqej nga vllezërit John dhe Simon Reno, i zuri pritë trenit gjatë një ndalese për t’u furnizuar me lëndë djegëse dhe ujë në qytetin Marshfield, të shtetit të Indianas. Banditët e lidhën ekuipazhin e trenit, pastaj ndanë vagonët me udhëtarë dhe ikën me lokomotivë dhe vagonin ku transportoheshin valixhet. Një grup vullnetarësh të armatosur që i kishin shkuar në ndihmë të policisë, gjetën kasafortat e zbrazura në një rajon malor rreth 32 kilometra larg vendit ku u krye grabitja. Të gjitha gjërat që kishin qenë në kasaforta, përfshirë këtu edhe monedhat prej ari, dhe paratë që kapnin një shumë prej 80 mijë dollarësh ishin zhdukur. Disa ditë më vonë, katër pjestarë të bandës u kapën për shkak të një vjedhje tjetër që kishin kryer. Atë mbrëmje, një grup qytetarësh nga Marshfieldi u drejtuan për në burg duke kërkuar të dinin se ku ishin të fshehura gjërat e vjedhura. Qytetarët e lidhën oficierin e policisë dhe i nxorrën të burgosurit nga qelitë e tyre. Ata u dhanë banditëve dy mundësi: ose të tregonin se ku i kishin fshehur gjërat e vjedhura ose të vdisnin. Banditët nuk pranuan të tregonin dhe qytetarët e zemëruar i varën ata në litar.

XS
SM
MD
LG