Lidhje

Tiranë: Pakti i Stabilitetit - 2001-05-22


22 maj, Armand Mero, Tiranë.

Në Tiranë nisi takimi i tryezës ekonomike të paktit te stabilitetit ku jane mbledhur 70 delegacione nga vendet përfituese, ato dhuruese dhe organizmat ndërkombetare financiare. Ky takimi do te marrë në analizë ecurinë e projekteve të fazës së parë si dhe pritet të arrihet një mirëkuptim për strategjinë afatmesme të proçesit të paktit të stabilitetit.

Shqipëria është bashkëkryesuese e tryezës ekonomike të paktit të stabilitetit. Sot në Tiranë drejtuesit e këtij proçesi që nisi dy vjet me parë, u mblodhën për të shqyrtuar punën e bërë deri tani me projektet e asaj që njihet si faza e parë e paktit, për të cilën janë akorduar 2.4 miliard euro.

Në takimin e sotëm kryeministri shqiptar Ilir Meta, vlerësoi rëndësinë e paktit të stabilitetit për vendet e Europës juglindore. Sipas tij, ky proçes shërben për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit dhe është një instrument që ndihmon dhe përshpejton integrimin europian dhe zhvillimin e tyre.

Koordinatorja kombëtare e Shqipërisë për Paktin dhe njëkohësisht bashkëkryesuesja e tryezës ekonomike, Ermelinda Meksi tha se gjatë dy ditëve të takimit do të rishihet progresi i bërë. Ajo deklaroi se pritet të arrihet një mirëkuptim për strategjinë afatmesme të proçesit, përcaktimi i hapave të mëtejshëm dhe përgatitja e nevojshme për konferencën e ardhshme të dhuruesve. Zonja Meksi u shpreh se faza e dytë “Near Term”, ose proçesi afatmesëm duhet të zhvillohet duke përqëndruar vëmendjen në programet dhe strategjitë afatgjata dhe afatmesme.

Një ide e cila u mbështet edhe nga koordinatori i Paktit: “Puna jonë në të ardhmen duhet të përqëndrohet në projektet afatmesme dhe afatgjata”, tha zoti Hombazh i cili kërkoi më shumë fonde për fazën e dytë. Ai e quajti të suksesshme fazën e parë, pa mohuar zërat se mund të ishte bërë më shumë. Ai nënvizoi megjithatë faktin se sado shumë që të duken paratë e projekteve të shpejta ato nuk mjaftojnë për të mbuluar nevojat e pamata për rindërtim që paraqet Europa Juglindore.

Mbështetje për paktin dha edhe përfaqësuesi i Bashkimit Europian i cili kërkoi që edhe vendet përfituese të bënin të njëjtën gjë nëpërmjet reformave ambicioze dhe zbatimit të tyre.

XS
SM
MD
LG