Lidhje

Trafiku njerëzor, formë e skllavërisë moderne. - 2001-05-23


Në fshatin e vogël dhe të varfër Fusharë, nuk janë të radha rastet e zhdukjes së vajzave të reja. Valentina, vajza e Frane Biçakut u zhduk nga shtëpia më se dy vjet më parë dhe ende nuk dihet fati i saj.

Gjin Lleshi humbi 2 vajza, njëra është 15 vjeç dhe tjetrën 17. Ai thotë se vajzat u morën nga disa djem që u premtuan se do të martoheshin. Por vajzat përfunduan si prostituta në rrugët e Italisë, ku u dërguan nga mafia shqiptare. Këto fenomene janë pothuajse të përditshme. “Me sa duket shumica e vajzave që trafikohen janë nën moshën 18 vjeç. Vajzat e reja janë më të preferuar në tregtinë e seksit, pasi rreziku i infektimit nga Sida është më i vogël”, thotë Sofie Mosko e fondacionit Save the Children.

Ky fenomen është shtrirë edhe në vende të tjera të Evropës Lindore dhe Qendrore. Olena është 16 vjeçe. “Unë dhe shoqet e mia u rrëmbyem nga i njëjti person. Ai na tha se do të punonim si prostituta në Itali. Kisha shumë frikë”.

Siç mësohet, këto vajza u blenë dhe u shitën disa herë, duke u kaluar nga njëra bandë te tjetra, ku përdhunoheshin dhe rriheshin. Më pas u shitën në ankand. “Klientët vinin në shtëpi, dhe pronari na thoshte të zhvisheshim, të bënim tualet. Klienti na shikonte më pas se mos kishim tatuazhe apo shenja në trup. Pak ditë më pas klientët vinin përsëri për t’i blerë vajzat” , thotë njëra prej tyre. Kjo veprimtari, shpjegon Degan Ali, e organizatës ndërkombëtare për emigracionin, mund të përshkruhet vetëm si skllavëri. Nëse detyrohesh me forcë, nuk paguhesh dhe shitesh nga njëri trafikant te tjetri, është skllavëri.

Motoskafet janë mjetet që çojnë vajzat përtej detit. Ato e përshkojnë gjatë natës distancën 2 orëshe Shqipëri-Itali për të shmangur rojen bregdetare. Nuk ekzistojnë të dhëna të sakta, por në bazë të shifrave të qeverisë shqiptare, vitin e kaluar u kapën afro 150 motoskafë që përdoreshin për trafikun e vajzave për në Itali.

Me ardhjen e demokracisë në Shqipëri pas demostratave të vitit 1991, krimi i organizuar dhe mafia shqiptare filluan të shtrinin me shpejtësi veprimtarinë e tyre, duke marrë emër si trafikantë agresivë armësh, droge dhe grashë dhe vajzash. Sot policia italiane dhe shqiptare patrullojnë Detin Adriatik së bashku. Herë pas here ata arrestojnë ndonjë trafikantë, por në Shqipëri po bëhen më të shpeshta kryqet dhe përkujtimoret për vajzat të cilave nuk u dihet fati. Ka familje që nuk i çojnë më vajzat në shkollë, nga frika se nuk do i shohin më.

XS
SM
MD
LG