Lidhje

Takimi i Paktit të Stabilitetit - 2001-05-23


Tiranë, 23 maj

Sot në Tiranë u mbyll takimi i tryezës ekonomike të Paktit të Stabilitetit. Vendet pjesmarrëse dhe organizmat financiare ndërkombëtare miratuan një dokument mbi strategjitë e zhvillimit afatmesëm ku përparësi do të kenë rrugët, transporti, energjia dhe uji. Shtatë shtetet përfituese të paktit ranë dakort për nënshkrimin e një memorandumi për liberalizimin e tregtisë mes tyre.

Faza e parë e paktit të stabilitetit, edhe për nga cilësimi që mori, Quick Start, (fillimi i shpejtë), pati si synim ndërhyrjet në fushat emergjente të zhvillimit të vendeve të rajonit. Ndërsa në takimin që u mbyll sot në Tiranë, të 7 shtetet që përfitojnë nga ky projekt i madh i perëndimit ranë dakort, siç deklaroi dhe kryetari i tryezës ekonomike Fabrizio Saccomani, për strategjitë e zhvillimit afatmesëm, të cilat do t’i paraqiten dhuruesve dhe organizmave ndërkombëtare financiare në tetor në mbledhjen që do të mbahet në Bukuresht:

“Ne ramë dakort për strategjitë që duhen ndjekur. Ne diskutuam dhe miratuam dokumentat strategjike për rrugët, transportet, energjinë, zhvillimin e projekteve të ujit, kontrollit të trafikut ajror. Dhe këto strategji do të paraqiten në mbledhjen e Bukureshtit. Dhe atëherë do të merren dhe propozimet për projekte për vendet e rajonit”, tha zoti Saccomani.

Ndërsa koordinatorja kombëtare e Paktit për Shqipërinë, Ermlinda Meksi, e quajti sukses faktin që vendet e rajonit arritën të bashkërendonin strategjitë e zhvillimit rajonal me ato të zhvillimit kombëtar të secilit prej tyre.

Të shtatë vendet përfituese të paktit do të nënshkruajnë në Bruksel muajin që vjen një memorandum të përbashkët për liberalizimin e tregëtisë, i cili parashikon shmangien dhe heqjen e barrierave doganore për shkëmbimin e mallrat dhe prodhimet mes tyre. Të gjithë përfaqësuesit e dhuruesve të huaj si nga vende te veçanta ashtu dhe nga organizmat financiare, deklaruan edhe në takimin e Tiranës se do të vazhdojnë të mbeshtesin me fonde ecurinë e ardhshme të Paktit të Stabilitetit.

XS
SM
MD
LG