Lidhje

Intervistë me Jason Steinbaum , anëtar i delegacionit të institutit demokratik kombëtar - 2001-05-23


VOA: Në Shqipëri, që nga viti 1992 janë mbajtur një sërë zgjedhjesh, parlamentare ose vendore. Por megjithë përparimet e bëra, vazhdimisht zgjedhjet janë kontestuar nga kjo ose ajo palë. Çfarë mund të bëjë një vend si Shqipëria, ç’hapa mund të ndërmerren që zgjedhjet të zhvillohen të lira e të drejta?

Jason Steinbaum: Unë mora pjesë në një delegacion të Institutit Demokratik Kombëtar për vëzhgimin e situatës parazgjedhore në Shqipëri. Ky ishte një ekip ndërkombëtar që u takua me anëtarë të qeverisë, me udhëheqës të partive të pozitës dhe opozitës, me organizata joqeveritare dhe me përfaqësues të shtypit. Ne mësuam shumë rreth procesit zgjedhor dhe për disa nga hapat që po ndërmerren. Megjithëse ne nuk kemi marrë pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve në të kaluarën, ne mësuam se janë bërë përmirësime të ndjeshme. Ende ekzistojnë probleme dhe sfida, por janë bërë përmirësime të ndjeshme dhe ne ndjehemi relativisht të inkurajuar rreth së ardhmes për Shqipërinë.

VOA: Shoqëria shqiptare është karakterizuar nga polarizimi i skajshëm politik, nga skepticizmi i votuesve dhe nga zhgënjimi i tyre me politikanët. Sa do të ndikojnë këta elementë në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare?

Jason Steinbaum: Ne pamë më shumë bashkëpunim midis partive në prag të këtyre zgjedhjeve se sa është parë në prag të zgjedhjeve të mëparshme. Le të marrim listat e zgjedhësve. Në zgjedhjet e kaluara, opozita ngriti shqetësime të shumta rretyh disa prej listave zgjedhore. Kësaj here ekziston një mekanizëm që i lejon njerëzit të kontrollojnë nëse emri i tyre figuron apo jo në listë. Listat janë afishuar në të gjithë vendin dhe njerëzit po e shfrytëzojnë këtë rast për të parë nëse figurojnë apo jo. Kjo është me shumë rëndësi. Po ashtu ka edhe dy masa të tjera me të cilat njerëzit mund të kontrollojnë nëse figurojnë apo jo në lista. Këto masa janë vendosur me marrëveshje nga të dyja partitë kryesore. Ky lloj bashkëpunimi lidhur me procesin zgjedhor, pra jo lidhur me politikën apo me faktin se kush do të fitojë, do t’i bëjë të dyja partitë që ta përqendrojnë vemendjen te gjëja më kryesore, domethënë që zgjedhjet t’i shërbejnë asaj çka është në interes të Shqipërisë.

VOA: A i kanë pranuar politikanët problemet e së kaluarës dhe a e kuptojnë ata nevojën për përmirësime?

Jason Steinbaum: Pa përmendur emra politikanësh, mendoj se ka patur një farë përmirësimi. Ende ka probleme dhe sfida, por është me rëndësi që politikanët t’i përkushtohen procesit zgjedhor. Pavarësisht se cili do të jetë rezultati i zgjedhjeve, ka rëndësi që ata të mbështesin atë qo do të dalë fitues, qoftë kjo Partia Demokratike apo Partia Socialiste apo cilido tjetër. Ky do të jetë fituesi legjitim i këtyre zgjedhjeve dhe cilado parti që të jetë në opozitë duhet ta mbështesë atë. Kjo do të kishte një ndikim të madh për të kapëcyer polarizimin në Shqipëri. Ju keni të drejtë që thoni se një pjesë e shqiptarëve janë zhgënjyer me retorikën e ashpër midis partive. Mendoj se qëllimi më i lartë në fund të fundit duhet të jetë interesi i Shqipërisë.

VOA: Ekziston një farë perceptimi në publikun shqiptar se Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i mungon paanshmëria politike. A mendoni se ky mund të jetë një problem në zgjedhjet e ardhëshme?

Jason Steinbaum: Në zgjedhjet e kaluara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ishte një problem. Ai ishte mjaft i pabalancuar dhe në favor të njërës parti politike, Partisë Socialiste. Sipas raporteve që na vinin ne, ky komision duhet të ishte mbledhur më shpesh dhe duhet të kishte marrë parasysh më seriozisht disa nga shqetësimet e shprehura prej disa partive. Që nga ajo kohë, nga ky komision ka patur 3 dorëheqje dhe janë emëruar disa anëtarë të rinj. Megjithëse procesi për emërimin e tyre mund të kishte qenë më i mirë, pra opozita mund të kishte sugjeruar kandidatë dhe qeveria mund t’i kishte krijuar asaj kushte më të mira për këtë qëllim, komisioni që ka dalë nga ky proces funksion më mirë. Nga të gjithë raportet që kemi marrë del se është bërë përparim i ndjeshëm. Komisioni do të vihet tani përpara disa provave të rëndësishme, për shembull si do ta trajtojë ai çështjen e nenit 66 të kodit zgjedhor që ka të bëjë me kandidatët e pavarur. Sidoqoftë ne mendojmë se ekziston më shumë besim te komisioni, pasi ai po i trajton problemet me më shumë transparencë dhe rregullsi. Edhe partitë po i shprehin shqetësimet e tyre pranë komisionit, gjë që është me shumë rëndësi. Ky është organi zyrtar për dëgjimin e ankesave dhe të shqetësimeve që kanë partitë. Ka rëndësi fakti që kur partitë kanë shqetësime ato i paraqisin jo vetëm në shtyp dhe në komunitetin ndërkombëtar por edhe pranë organit zyrtar, i cili ka për qëllim t’i dëgjojë ato.

XS
SM
MD
LG