Lidhje

Uashingtoni për futjen e forca jugosllave në zonat e sigurisë. - 2001-05-24


Luftëtarët shqiptarë në Serbinë jugore po përgatiten t’i japin fund kryengritjes së tyre. Komandanti Shefki Musliu nënshkroi një marrëveshje që forcat e tij do të çmilitarizohen, çmobilizohen dhe shpërndahen brenda datës 31 maj të vitit 2001. Në se ky zotim respektohet nga të gjitha grupet kryengritëse në rajon, një gjë e tillë mund të sjellë fundin e luftimeve 16 mujore me trupat jugosllave në luginën e Preshevës në kufi me Kosovën. Marrëveshja u arrit ndërsa ushtria jugosllave dhe policia serbe bënin përgatitjet për të hyrë më 24 maj në zonën e sigurisë përgjatë kufirit me Kosovën. Natoja e krijoi këtë zonë pas hyrjes së forcave të saj në Kosovë më 1999. Luftëtarët shqiptarë e kanë përdorur zonën e sigurisë si bazë për ndërmarrjen e sulmeve ndaj forcave jugosllave në luginën e Preshevës. Sipas zyrtarëve të Natos, afro 300 luftëtarë shqiptarë kanë hedhur armët dhe kanë kaluar nga Lugina e Preshevës në Kosovë, një shenjë se lëvizja e tyre po shpërbëhet. Fatkeqësisht, grupet separatiste të kryengritësve shqiptarë në Maqedoni deri tani nuk kanë pranuar të ulin armët. Ushtria Çlirimtare Kombëtare, UÇK, vazhdon kryengritjen e saj të armatosur, duke pushtuar fshatrat Vaksince, Slupçan e të tjera dhe duke rrezikuar jetën e civilëve.

Me miratimin e një qeverie të bashkimit kombëtar kohët e fundit nga parlamenti maqedon, është e qartë që shumica e popullit të Maqedonisë e dënon dhunën dhe kërkon t’i japë një mundësi dialogut politik. Ata nuk duan që vendi i tyre të bjerë në gjakderdhjen e llojit që bota pa në Bosnje e Kosovën fqinje. Ushtria Çlirimtare Kombëtare duhet të ulë armët dhe të tërhiqet menjëherë.

Dialogu është rruga e vetme për trajtimin pakënaqësive të shqiptarëve, pavarësisht se ku jetojnë në Kosovë, Jugosllavi apo Maqedoni. Qeveria shumë etnike e Maqedonisë e zgjedhur në mënyrë demokratike duhet të eci shpejt përpara me reforma politike dhe ekonomike. Por Ushtria Çlirimtare Kombëtare duhet të tërhiqet nga zonat e pushtuara dhe ta shpëtojë Maqedoninë nga gjakderdhja e mëtejshme.

XS
SM
MD
LG