Lidhje

Norma të reja për kolesterinën - 2001-05-24


Programi Kombëtar i Shteteve të Bashkuara për Edukimin me rreziqet e kolesterinës, që është pjesë e Insitutit Kombëtar të Shëndetësisë, ka nxjerrë disa udhëzime të reja për t’u ardhur në ndihmë mjekëve për të gjetur mënyrat më të mira për trajtimin e pacientëve. Në udhëzimet e mëparshme, të publikuara në vitin 1993 thjesht bëhej dallimi midis njerëzve që vuajnë nga sëmundja e zemrës dhe atyre që nuk vuajnë nga kjo sëmundje. Udhëzimet e reja synojnë të identifikojnë njerëzit që rrezikohen të sëmuren nga zemra, para se sëmundja të përparojë tek ata.

James Cleeman është koordinator për projektin e kolesterinës: “Ne kemi mjaft fakte të grumbulluara kohët e fundit, që tregojnë se fillimisht, ka miliona amerikanë që janë më të predispozuar të pësojnë infarkt. Shifrat janë shumë më të larta nga sa dihej më parë. Së dyti, analizat laboratorike tregojnë se pakësimi i LDL-së, që njihet si kolesterina e keqe, ul së tepërmi rrezikun e infarkteve, që shpeshherë janë vdekjeprurëse dhe kontribuon në zgjatjen e jetës, duke pakësuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve.”

Në udhëzimet e reja të publikuara në Revistën e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë thuhet se 65 milionë amerikanë duhet të ndryshojnë dietën për të pakësuar nivelin e kolesterinës, ndërkohë që sipas udhëzimeve të mëparshme kjo shifër ishte 52 milionë. Për herë të parë, qeveria po i nxit mjekët t’u japin më tepër mjekime për uljen e nivelit të kolesterinës pacientëve të tyre. Specialistët parashikojnë se numri i amerikanëve që marrin ilaçe për uljen e kolesterinës, të ashtuquajtura mjekime me bazë statine mund të rritet nga 13 milionë në 36 milionë vetë. Në analizat laboratorike mjekimet me bazë statine për uljen e kolesterinës kanë treguar se janë tepër të efektshme. Michael Davidson është drejtor i kardiollogjisë parandaluese në Shkollën Mjekësore Rush të Çikagos. Megjithëse statinat janë të kushtueshme, zoti Davidson thotë se përdorimi i tyre në afat të gjatë shpëton jetë njerëzish dhe kursen para.

“Midis të gjitha metodave për kurimin e sëmundjeve, mjekimet për kolesterinën janë ndër më të efektshmet dhe më pak të kushtueshme nga ato që kemi tani për tani. Mjekimet për uljen e kolesterinës janë shumë të ngjashme me vaksinat. Varet vetëm nga fakti se sa i madh është rreziku. Sa më i madh të jetë rreziku që pacienti të pësojë infarkt, aq më i madh është përfitimi nga përdorimi i mjekimeve me bazë statine.”

Sipas udhëzimeve të reja, mjekët mund të vlerësojnë rrezikun që ka pacienti për t’u sëmurur nga zemra, duke u bazuar në disa faktorë, midis të cilëve mosha, tensioni i gjakut, niveli i përgjithshëm i kolesterinës dhe niveli i të ashtuquajturës kolesterinë e mirë, siç thekson Michael Davidson.

“Udhëzimet botohen në kohën e duhur. Pacientët në këtë mënyrë e kuptojnë mirë çështjen e kostos dhe në to theksohet mjaft mirë rëndësia e ndryshimeve në mënyrën e të jetuarit. Pra, mendoj se udhëzimet janë tepër të rëndësishme sepse kolesterina është një sëmundje e komplikuar dhe u jep mundësi mjekëve të identifikojnë pacientët që janë më të predispozuar të preken nga kjo sëmundje.”

Zoti Davidson thotë se në Europe mjekët u japin mjekime parandaluese për sëmundjet e zemrës njerëzve që janë të prirur për t’u prekur nga kjo sëmundje, gjë që ka shpëtuar jetën e njerëzve dhe kursen paratë që do të përdoreshin për mjekimin e tyre në faza të avancuara të sëmundjes. Ai thotë se shpreson që vendet më pak të zhvilluara do të marrin masat e nevojshme ndërkohë që sëmundjet e zemrës po përhapen përherë e më tepër.

XS
SM
MD
LG