Lidhje

Senatori Jeffords largohet nga Partia Republikane - 2001-05-24


Dezertimi i senatorit të partisë republikane ka tronditur atmosferën politike të Washingtonit.

Senatori nga Vermonti, James Jeffords i cili tërë jetën e tij ishte në partinë republikane të enjten (24 maj,) në një konferencë shtypi në shtetin e tij Vermont, shpalli largimin nga kjo parti. “Me qëllim që të përfaqësoj sa më mirë shtetin tim, Vermontin, ndërgjegjen dhe parimet që i kam mbrojtur gjatë gjithë jetës, unë do të largohem nga Partia Republikane, për të dalë si senator i pavarur.”

Ky hap i tij e ndryshoi ekuilibrin në senat ku demokratët dhe republikanët kanë nga 50 vende. Senatori Jeffords tha se ai e ndjente se pikëpamjet e tij prej republikani të moderuar nuk i përshateshin dot më pikpamjeve gjithnjë e më konservatore të Partisë Republikane.

“Përherë e më tepër pikëpamjet e mia po bien ndesh me ato të partisë republikane. Shumica e anëtarëve të kësaj partie janë më konservatorë nga ç’jam unë. Duke patur parasysh ndryshimet e vazhdueshme në poltikën e kësaj partie, u bë tepër e vështirë për udhëheqësit e saj të gjenin një gjuhë të përbashkët me mua, ashtu sikurse edhe unë me ata.”

Ndërsa do të vazhdojë të shërbejë në Senat si senator i pavarur, Jim Jeffords do të jetë në aleancë me demokratët. Presidenti Bush u takua me senatorin Jeffords ditën e mërkurë, me shpresë se mund t’ia ndryshonte mendimin, por pa sukses.

“Unë kam respekt për sentorin Jeffrods, tha presidenti, por mosmarrëveshjet tona janë të mëdha.”

Ky veprim i Senatorit Jeffords u siguron demokratëve kontrollin e Senatit dhe komisioneve të tij, për herë të parë që nga viti 1994. Megjithatë presidenti Bush dhe udhëheqësi i republikanëve në Senat Trent Lott po përpiqen të nënvleftësojnë ndikimin që do të ketë ky veprim i senatorit Jeffrods.

“Largimi i zotit Jeffords, tha senatori Lott, nuk do të ndryshojë aspak programin politik të Partisë Republikane, presidenti do të vazhdojë bashkëpunimin me ligjvenësit republikanë dhedemokratë.”

Historianët mendojnë se kjo është hera e parë në politikën e SHBA që raporti në Senat ndryshon pa u zhvilluar zgjedhje. Tani demokratët do të kontrollojnë Senatin vetëm me një senator më tepër. Kështu ata do të marrin kontrollon e të gjithë komisioneve të Senatit dhe do të kenë fjalën vendimtare në miratimin e ligjeve. Udhëheqësi i demokratëve Tom Daschle do të bëhet tani kryetari i shumicës.

“Me ndryshimin e ekuilibrit në Senat, tha Senatori Daschle, është tepër e nevojshme të ketë kompromise për problemet kryesore. Senati i tanishëm përsëri vazhdon të mbetet Senati me diferencën më të ngushtë midis dy partive. Ende ndeshemi me te njejtat sfida. ”

Senatori Jeffords e siguroi presidentin Bush se do të presë deri sa të miratohet ligji për pakësimin e taksave i propozuar nga vetë presidenti dhe më pas ai do të largohet zyrtarisht nga partia republikane.

XS
SM
MD
LG