Lidhje

Kosovë: diskutohet çështja e kthimit të qytetarëve të shpërngulur - 2001-05-29


Këshilli i përkohshëm administrativ i Kosovës sot (29 maj) ka diskutuar çështjen e kthimit të të gjithë qytetarëve të shpërngulur nga Kosova e në veçanti për kthimin e pjestarëve të komunitetit serb. Është thënë se për këtë çështje është krijuar edhe një dokument i posaçëm por nuk është marrë asnjë vendim për të. Zëvendës administratori i Kosovës, Gary Matheus tha se “të gjithë në këshillin e përkohshëm administrativ ishin pajtuar se çështja e kthimit të atyre që janë larguar nga Kosova duhet të ecë përpara dhe se tashmë ka ardhur koha që të zbatohet proçesi i kthimit të tyre”.

Përfaqësuesit shqiptarë në këtë këshill thanë se në parim e mbështesin kthimin e serbëve por angazhohen edhe për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur nga zonat që tashmë kontrollohen nga serbët. Kryetari i lidhjes demokratike, Ibrahim Rugova tha se dokumenti për kthimin e të gjithë qytetarëve te shpërngulur, është hartuar nga një grup i posaçëm, por që për të ende nuk është marr asnjë vendim. “Ka mbetur që të shikohet, natyrisht një kthim i të gjithëve sepse kemi një numër të madh edhe të shqiptarëve që janë ende jashtë dhe që dëshirojnë të kthehen, natyrisht serbët që dëshirojnë të vinë dhe ne jemi të interesuar që rreth 100 mijë serb sa janë në Kosovë, t’ju krijojmë kushte dhe të kujdesemi për ta, të kenë liri të qarkullimit sa i përket enklavave.”-tha Ibrahim Rugova, kryetar i LDK.

Zoti Rugova theksoi se angazhohet për një kthim të kujdesshëm dhe gradual të atyre që dëshirojnë të kthehen dhe të jetojnë në Kosovë. Ndërsa përsa i përket Mitrovicës dhe dy komunave në veri të Kosovës zoti Rugova tha se do të bëhet gjithë ç’është e mundur që të filloi edhe procesi i kthimit të shqiptarëve.

Nga ana e tij kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi se dokumenti për kthimin e, siç u shpreh ai, 170 mijë serbëve është diskutuar javën e kaluar ndërmjet misionit të Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësuesve të qeverisë së Beogradit, në mënyrë që sot të debatohet për të edhe në këshillin e përkohshëm administrativ. “Kthimi i tyre siç parashihet në këtë kornizë, është një nga pikat e kornizës kushtetuese që është nxjerr kohë më parë dhe është vetëm fillimi i fillimit të implemenitimit të kthimit të serbëve në Kosovë. Parashihet kthimi i serbëve në shumë rajone të Kosovës, në Prishtinë, Pejë, Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë dhe lokalitetet të tjera të Kosovës, pra në zonat urbane dhe rurale.”-tha Hashim Thaçi kryetar i PDK-së.

Ndërkaq, Muhamet Kelmendi nga aleanca për ardhmërinë e Kosovës tha se, para se të merret një vendim përfundimtar për kthimin e qytetarëve serb duhet krijuar parakushte për kthimin e tyre. Ai me këtë rast përmendi zhbërjen e enklavave serbe, pastaj lirimin e të burgosurve shqiptarë që mbahen në burgjet serbe dhe ndriçimin e fatit të mijëra të zhdukurve si dhe krijimin e një mjedisi të sigurt në Luginën e Preshevës për kthimin e të shpërngulurve nga kjo zonë. “Në emër të aleancës për ardhmërinë e Kosovës kemi kërkuar që kjo çështje të shtyhet deri pas zgjedhjeve sepse subjektet politike nuk mund të parapregatisin terrenin dhe të krijojnë kushte të sigurisë. Në këtë kuadër nuk mund të krijojmë as parakushtet ekonomike për integrimin e tyre në shoqërinë kosovare prandaj rreth këtij projekti sot nuk është sjellë asnjë vendim por është shtyrë për mbledhjet e ardhzhme”-tha zoti Muhamet Kelmendi. Procesi i kthimit të serbëve të zhvendosur vazhdon të shkaktoi reagime të ndryshme. Shqiptarët insistojnë që në Kosovë të kthehen vetëm ata që nuk kanë bërë krime ndërkohë që serbët angazhohen për kthimin e të gjithë atyre që në Kosovë kanë jetuar më parë. Sidoqoftë, qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare në këtë mes, duket se do të jetë vendimtar për këtë proces.

XS
SM
MD
LG