Lidhje

Nato nuk mbështet planin amerikan - 2001-05-29


Aleatët e Washingtonit në radhët e Natos nuk shprehën mbështetjen për planet amerikane për ndrëtimin e një sistemi kombëtar të mbrojtjes nga raketat për t’u mbrojtur kundër sulmeve nga të ashtuquajtura shtete të papërgjegjshme.

Ministrat e Jashtëm të Natos nuk pranuan dje në takimin e tyre në Budapest ta mbështesin propozimin amerikan, megjithëse sekretari i shtetit, Colin Powell, u përpoq t’i bindte ata se të gjitha vendet anëtare të Natos përballen me një kërcënim të përbashkët.

Në një deklaratë të ministrave të jashtëm thuhet se nevojiten më shumë diskutime dhe se do të mirëpriteshin diskutimet e filluara nga presidenti Bush për këtë çështje si edhe garancitë se Washingtoni nuk do të ndërtojë një sistem të tillë pa u këshilluar fillimisht me Evropën.

Në deklaratë nuk përmendet traktati i vitit 1974 kundër raketave balistike, të cilin administrata e presidentit Bush kërkon ta ndryshojë për të lejuar ndërtimin e sistemit të mbrojtjes nga raketat. Edhe Rusia e kundërshton propozimin amerikan, duke thënë se ndërtimi i një sistemi të tillë do të bëhej shkak për një garë të re armësh në hapësirë. Washingtoni ngul këmbë se sistemi do të shërbente si mbrojtje kundër sulmeve të kufizuara me raketa nga vende të tilla si Iraku, Koreja e Veriut dhe Irani.

Në takimin e tyre në Budapest, ministrat e Jashtëm të Natos mbuluan edhe çështjet ballkanike, siç janë operacionet paqeruejtëse në Bosnje dhe tensionet etnike në Maqedoni.

XS
SM
MD
LG