Lidhje

SHBA: 4 fajtorë për shpërthimin e ambasadave - 2001-05-30


Dje katër anëtarë të rrjetit të terroristit Osama Bin Laden u shpallën fajtorë për 302 akuza lidhur me shpërthimet e vitit 1998 në dy ambasada amerikane në Afrikë. Një gjykatë federale në New York i shpalli fajtorë personat e akuzuar. Dy nga të akuzuarit, sauditi Rashed Daud Al-Ovhali dhe Kalfan Kamis Mohamed nga Tanzania, janë shpallur fajtorë për vrasje dhe mund të dënohen me vdekje, gjatë seancës për dhënien e dënimeve, e cila fillon sot.

Dy të tjerët - Wadih El Hage, shtetas amerikan me origjinë libaneze, dhe jordanezi Mohamed Sadeek Odeh, mund të dënohen me burgim të përjetshëm. Zëdhënësi i departamentit të shtetit Philip Reeker, i komentoi kështu njoftimet e para: Departamenti i shtetit është shumë i kënaqur për vendimin e marrë ndaj të pandehurve në fazën fillestare të gjyqit - tha zëdhënësi.

Zoti Reeker i paralajmëroi gjithashtu amerikanët t’i mbajnë sytë hapur për akte të mundshme hakmarrëse. Në New York, prokurorja Mary Jo White tha se do të vazhdojnë përpjekjet për kapjen e 13 të akuzuarve të tjerë. Zëvendës-Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve, Barry Mawn, e lavdëroi jurinë për punën e bërë: “Kjo juri arriti një vendim që ia bën të qartë çdo individi apo grupi individësh që synojnë të cënojnë qytetarët ose interesat amerikane jashtë vendit, se sundimi i ligjit është më i fuqishëm se çdo sulm terrorist”, tha zoti Mawn.

Pasi dëgjoi dëshmitë për afro tre muaj, juria e arriti vendimin pas dy javë diskutimesh. Shpërthimet në ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani lanë 224 të vdekur dhe plagosën shumë të tjerë, të cilët u mbuluan nga rrënojat.

Udhëheqësit talebanë në Afganistan thanë se vendimi i djeshëm i një gjykate në New York kundër katër personave që dyshohen si bashkëpunëtorë të terroristit Osama bin Laden ishte i padrejtë. Një zyrtar i lartë i ministrisë afgane të informacionit tha gjithashtu se Talebani nuk do ta dorëzojë kurrë Osama bin Ladenin, i cili është akuzuar nga Shtetet e Bashkuara për financimin dhe organizimin e sulmeve terroriste. Ai tha se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të përdorin çështjen e terrorizmit, trafikun e drogës dhe të drejtat e njeriut si justifikim për politikën e tyre kundër Afganistanit.

XS
SM
MD
LG