Lidhje

Analizë mbi të ardhmen e ushtrisë amerikane - 2001-05-30


Të gjithë ata që pritnin ndonjë deklaratë publike mbi ndryshimet në të ardhmen, në prirjen dhe natyrën e ushtrisë amerikane mbetën të zhgënjyer. Fjalimi i presidentit Bush në Akademinë amerikane të Marinës nuk ofroi shumë hollësi rreth ndryshimeve që ai ka në plan të ndërmarrë.

Disa mjete të informimit kishin parashikuar se fjalimi i presidentit në Akademinë e Marinës do të nxirrte në pah strategjinë ushtarake për shekullin 21 të administratës së zotit Bush. Mirëpo, në fjalim nuk u përmend ndonjë hollësi mbi krijimin e forcave amerikane si njësitë më të lëvizshme dhe më të shpejta që do të mbështeten mbi të gjitha në pajisjet e teknologjisë së lartë.

Në të kundërtën, presidenti Bush e pranoi për herë të parë se ndryshimet nuk do të bëhen aq lehtë, veçanërisht kur është fjala për strukturën e ushtrisë.“Ndërtimi i forcës për të ardhmen nuk do të jetë gjë e lehtë. Ti ndryshosh kahjen ushtrisë tonë është njësoj sikur t’i ndryshosh kahjen një anije tepër të madhe” tha zoti Bush. Sekretari amerikan i mbrojtjes Donald Rumsfeld është vënë në krye të përpjekjeve të administratës për të kryer shqyrtimet e strategjisë së ushtrisë nga kreu deri në nivelin më të ulët, që kur ai u emërua në këtë post në fund të janarit. Shqyrtimet përfshijnë të gjitha aspektet e forcave të armatosura; nga sistemi i ri i armatimit e deri tek vlerësimi i ri i kërcënimeve që kanë për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për pjestarët e ushtrisë.

Në komentet që bëri në Pentagon këtë javë, zoti Rumsfeld tha se faza e shqyrtimeve po shkon si duhet. Mirëpo, sikurse edhe presidenti, edhe zoti Rumsfeld e bëri të qartë se ndryshimet nuk janë të lehta për t’u bërë. Edhe ai për herë të parë vuri në dukje se janë të paarsyeshme pretendimet për ndonjë ndryshim strategjik përmasash të mëdha, qoftë kjo edhe në planin afatgjatë. “Mendojë se gjërat po ecin si duhet. Është e padiskutueshme se ndryshimet nuk do të jenë të lehta. Mirëpo realiteti është se askush nuk do të bëjë ndryshime të mëdha” tha zoti Rumsfeld. Ndër çështjet e shqyrtimit të strategjisë që mbetet të kuptohet është edhe çështja e përmasave të ushtrisë amerikane në të ardhmen, si duhet të organizohen shërbimet, dhe për çfarë misione ato do të angazhohen në të ardhmen.

Strategjia e tanishme amerikane bazohet mbi qëndrimin se duhen patur forca të mjaftueshme për të luftuar dy luftëra të mëdha në të njejtën kohë - që zakonisht mendohet të jenë në Gjirin Persik e në gadishullin e Koresë.

Mirëpo, disa analistë janë të mendimit se kjo nuk është e nevojshme më tutje, dhe se natyra e kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare ka ndryshuar gjatë dekadës së fundit. Zoti Rumsfeld shprehet vetëm se në një botë plotë me paqartësira, forcat e armatosura amerikane duhet të kenë aftësinë e përshtatjes në çdo situatë. Ai thotë se është tejet e vështirë të parashikohet me saktësi se çfarë mund të ndodh në të ardhmen. Mirëpo, një gjë është e sigurtë se në mungesë të informatave mbi planet e administratës, disa anëtarë të kongresit amerikan dhe disa zyrtarë të lartë ushtarak janë shprehur të brengosur. Disa janë shprehur edhe të zemëruar, duke thënë se ata janë lënë jashtë procesit të shqyrtimeve.

Kjo nuk përbën ndonjë befasi, pasi fjala është për kontrata në vlerë prej miliarda dollarësh në të ardhmen. Mirëpo, fjala është edhe për ardhmërinë e qindra mijëra pjestarëve të ushtrisë.

Zoti Rumsfeld thotë se çdokush që duhet është përfshirë në procesin e këshillimeve mbi ardhmërinë e forcave të armatosura. Ai gjithashtu hedh poshtë zërat se shqyrtimet janë kryer në fshehtësi. Siç u shpreh ai përpara gazetarëve në Pentagon, jo vetëm se nuk ka ndonjë fshehtësi, por as që mund të ketë, pasi çdo gjë që ndodh në këtë ndërtesë del jashtë brenda 5 minutave.

XS
SM
MD
LG