Lidhje

E ardhmja për Maqedoninë - 2001-05-30


Ndërkohë që në Maqedoni tensionet në radhët e qeverisë së re të bashkimit kombëtar rriten, luftimet vazhdojnë dhe mijëra shqiptarë braktisin shtëpitë e tyre për t’u shpëtuar sulmeve të forcave maqedonase, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana, po përpiqet për arritjen e një armëpushimi në këtë vend të trazuar ballkanik.

Para dy javësh, ish ambasadorja e Maqedonisë në Washington, Ljubica Acevska, ishte optimiste se një qeveri e bashkimit kombëtar, e përbërë nga përfaqësues të shqiptarëve dhe maqedonasve, do t’i jepte fund menjëherë kryengritjes. Mirëpo, tani optimizmi i saj është zhdukur. Sikurse presidenti dhe kryeministri i Maqedonisë, ajo është shumë e zemëruar që partitë politike shqiptare në koalicionin qeveritar nënshkruan javën e kaluar një marrëveshje me grupet e armatosura shqiptare. “Arritja e marrëveshjeve të tilla të fshehta, polarizon politikanët në Maqedoni, polarizon komunitetet e vendit. Mendoj se ky zhvillim përbën një hap të madh prapa për vendin, për marrëdhëniet ndëretnike” tha ambasadorja.

Zonja Acevska, tani studjuese pranë qendrës Woodrow Wilson këtu në Washington, mbështet dërgimin e menjëhershëm të një force paqeruejtëse në Maqedoni: “Mendoj se në Maqedoni duhet të dërgohet një forcë e Natos për të parandaluar keqësimin e gjendjes.”

Mirëpo Daniel Server, drejtor i Nismës Ballkanike pranë Institutit Amerikan të Paqes, thotë se atje nuk do të dërgohet një forcë e tillë. “Forcat paqeruejtëse nuk dërgohen atje ku nuk ka armëpushim. Forcat e Natos, të Bashkimit Evropian e bile, as ato bullgare, nuk do të angazhohen në një luftë guerile. Prandaj, çështja reale është të gjehet një zgjidhje politike përmes bisedimesh”.

Zoti Server, ish diplomat amerikan, ka mbështetur vazhdimisht përpjekjet për arritjen e armëpushimit në luftrat guerrile. Ai nuk është i habitur që politikanët maqedonas janë zemëruar nga kontaktet midis partive politike dhe luftëtarëve shqiptarë. “Ata i shikojnë firmat e partive të ligjshme me ato të grupeve të armatosure në të njëjtën copë letre si një fakt politik që nuk mund ta pranojnë. Ajo që i zemëron ata edhe më tepër është ideja se kjo çështje ushtarake duhet të hyjë në kanale politike bashkë me disa prej elementëve ushtarakë .”

Zoti Server thotë se Maqedonia ka nevojë për një armëpushim të menjëhershëm. Ai përmendi si shembull marrëveshjen e arritur kohët e fundit midis luftëtarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës dhe autoriteteve serbe. Nga ana e saj, zonja Acevska shprehet kundër zhvillimit të bisedimeve me grupet e armatosura dhe bën thirrje për pjesëmarrje më të madhe perëndimore në përpjekjet për të mbajtur në pushtet qeverinë e brishtë të bashkimit kombëtar.

XS
SM
MD
LG