Lidhje

Grupi Ndërkombëtar i Krizave për Shqipërinë - 2001-05-30


Grupi Ndërkombëtar i Krizave, një organizatë jo-qeveritare, botoi këto ditë raportin e tij vjetor mbi gjendjen në Shqipëri. Në raport vlerësohen përpjekjet e qeverisë shqiptare për të ruajtur qëndrueshmërinë në rajon, por theksohet gjithashtu nevoja për forcimin e institucioneve qeveritare, zbatimin e ligjeve si dhe pavarësinë e gjyqësorit.

Raporti i bën thirje komunitetit ndërkombëtarë të mbështesë qeverinë shqiptare në përpjekjet e saj në luftën kundër krimit të organizuar. Grupi Ndërkombëtar i Krizave thekson nevojën e ndihmave financiare dhe teknike për përpjekjet e qeverisë shqiptare në luftë kundër trafikut njerëzor, drogave dhe armëve. Rreziku kryesor që i kanoset shoqërisë shqiptare sot janë rrjetet e krimit të organizuar, të cilat po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, të shoqëruara nga ekzistenca e korrupsionit në vend.

Raporti vë në dukje krijimin e koncepteve të rrezikshme në shoqërinë shqiptare si dhe në rradhët e punonjësve të sektorit shtetëror, se pasuria e krijuar nga trafiku i paligjshëm mund të përdoret për zhvillimin ekonomik të vendit. Grupi Ndërkombëtar i Krizave vlerëson qëndrimin e qeverisë së Tiranës ndaj krizës në Maqedoni. Qeveria shqiptare, theksohet në raport, nuk pranoi të mbështesë grupet e armatosura shqiptare. Për këtë qëndrim, si dhe për vendosjen e marrëdhënieve me Republikën Federative të Jugosllavisë, qeveria u ndesh me kritika nga brenda vendit, si dhe me zemërimin e shumë shqiptarëve të Kosovës.

Qeveria shqiptare, thuhet më tej në raport, mbetet e angazhuar për integrim në strukturat euro-atlantike, si dhe në përpjekjet për qëndrueshmëri në rajon. Atmosfera politike në vend aktualisht karakterizohet nga përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 24 qershorit. Partia Socialiste në pushtet, thuhet në raport, ndeshet me përçarje problematike në radhët e koalicionit 4-vjeçar, ndërkohë që Partia Demokratike e opozitës po përpiqet të reformohet. Grupi Ndërkombëtar i Krizave thekson se gjatë dy viteve të fundit institucionet shtetërore janë forcuar në mënyrë të ndjeshme dhe se janë miratuar një numër ligjesh të mira. Problemi që ngrihet tani është zbatimi i këtyre ligjeve në praktikë.

Raporti vë në dukje dallimet ndërmjet ligjeve në formë të shkruar dhe zbatimit të tyre. Nevoja për reforma në fushën juridike është një ndër sfidat më të mëdha. Ekzistojnë probleme serioze përsa i përket pavarësisë së gjyqësorit, profesionalizmit të gjykatësve dhe prokurorëve, si dhe mbi të gjitha korrupsionit që dobëson sistemin juridik, theksohet në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

XS
SM
MD
LG