Lidhje

E ardhmja e misionit paqeruajtës në Bosnje - 2001-05-31


Zyrtarë të Pentagonit thonë se së shpejti ushtarë të tjerë amerikanë do të kthehen në atdhe nga misioni i tyre paqeruajtës në Ballkan. Nga pikëpamja e administratës së presidentit Bush, komunikata e fundit e Natos nuk tingëllonte premtuese.

Ministrat e jashtëm të aleancës, të mbledhur në Hungari, ranë dakord, siç shprehen në komunikatë, se nuk është e këshillueshme në këtë kohë për të shqyrtuar një pakësim apo riorganizim të gjërë të forcës shumëkombëshe paqeruajtëse prej 21 mijë trupash në Bosnje. Për ata që kërkojnë tërheqjen e trupave amerikane nga Ballkani, përfshi sekretarin e mbrojtjes Danold Rumsfeld, komunikata ofron vetëm një lëshim të vogël. Në komunikatë thuhet se në rrethana të caktuara mund të bëhet një pakësim i moderuar i nivelit të përgjithshëm të trupave.

Zyrtarët e Pentagonit thonë se Natoja ka miratuar një pakësim të përgjithshëm prej 3 mijë trupash dhe zëdhënësi i Pentagonit Craig Quigley thotë se shpreson që një pjesë e mirë e tyre të jenë amerikanë. “Shtetet e Bashkuara kanë në Bosnje 3 mijë e 800 ushtarë që përbëjnë 20 përqind të forcës së përgjithëshme paqeruajtëse. Prandaj ne presim që edhe mes trupave të planifikuar për t’u tërhequr gjatë javëve të ardhëshme, 20 përqind e tyre të jenë amerikanë” tha zëdhënësi.

Admiral Quigley e pranon që sekretari i mbrojtjes Rumsfeld e përkrah idenë e tërheqjes së trupave amerikane nga misionet paqeruajtëse në vende të ndryshme të botës. “Qëndrimi i sekretarit Rumsfeild është që ne duhet të vëzhgojmë rregullisht nevojën e vazhdueshme për trupa amerikane në botë, përfshi Bosnjen” tha zoti Quigley.

Por zëdhënësi i Pentagonit thotë se si zoti Rumsfeild edhe sekretari i Shtetit Colin Powell nuk duan që të veprojnë në mospërputhje me hapat e aleatëve të Amerikës. “Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndonjë dëshirë të zjarrtë për një tërheqje të njëanëshme të forcave pa diskutuar më parë me aleatët; që një tërheqje e tillë të mos bëhet duke lënë pas një boshllëk, por me zëvëndësimin e tyre me civilë të përgatitur e të aftë për të marrë përsipër detyrën që tani kryehet nga trupat ushtarake”

Për shembull, sipas burimeve të Pentagonit, trupat amerikane në Bosnje kryejnë shërbime të tilla si drejtim trafiku të automjeteve dhe hetimin e rasteve të aksidenteve me makinë. Burimet e Pentagonit thonë se ushtarët nuk janë dërguar atje për detyra të policisë së trafikut rrugor. Kohët e fundit në një intervistë me një gazetë, sekretari i mbrojtjes Rumsfeild foli mbi rreziqet e misionit të neveritshëm, siç shprehet ai, veçanërisht në Bosnje.

Ai thotë se puna e ushtrisë në Bosnje kishte mbaruar 4 vjet më parë, duke e bërë të qartë se ushtria amerikane nuk duhet të merret me punët që i takojnë policisë.

Por kohët e fundit gazeta Washington Post njoftoi se anëtarë të misionit të Policisë ndërkombëtare në Bosnje janë ballafaquar me një numër akuzash për sjellje të papërshtatshme. Për këtë arsye, disa zyrtarë evropianë dhe të OKB-së vënë në pikëpyetje urtësinë e vendimit për kalimin e përgjegjësive nga ushtarët tek policët pa trajtuar më parë të metat e një hapi të tillë.

Zyrtarët e Pentagonit nuk komentuan rreth njoftimit të gazetës Washington Post. Por zëdhënësi Quigley i tha Zërit të Amerikës se çdo sjellje e papërshtatshme nga disa nuk do të ketë ndikim në përpjekjet për zevëndësimin e ushtarëve që tani shërbejnë si paqeruajtës në Bosnje.

XS
SM
MD
LG