Lidhje

Pakti i Stabilitetit për Ballkanin - 2001-05-31


Që nga përfundimi i luftës së Kosovës përpara dy vjetësh, vendet perëndimore dhe organizatat ndërkombëtare kanë bashkerënduar përpjekjet e tyre në fushën e ndihmave ekonomike për Ballkanin përmes Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore me qendër në Bruksel. Në mars të vitit 2000, Pakti i Stabilitetit mori angazhim për 2 miliard dollarë për të rimëkëmbur ekonomitë e shkatërruara të Ballkanit. Shumica e parave u caktuan për projekte të infrastrukturave, si rrugët, linjat elektrike dhe urat.

Në një raport të Paktit të Stabilitetit, të publikuar kohët e fundit njoftohet se 25 deri në 34 projekte të tilla janë tashmë në zbatim e sipër. Rreth 1 miliard dollarë, thuhet në raport, janë shpenzuar tashmë. Paratë e Paktit të Stabilitetit shkojnë në Shqipëri, Bosnjë, Bullgari, Kroaci, Maqedoni dhe Rumani. Yugosllavia do të përfshihet shpejt në këtë grup vendesh. Ndërsa për Kosovën ka një program të veçuar ndihmash.

Por, ndërkohë që Pakti i Stabilitetit njofton se po i mban premtimet, disa vende nuk janë dakord me këtë. Ministri i jashtëm i Bullgarisë ankohet se shumë pak para nga ato të projekteve të infrastrukturës kanë mbërritur në Bullgari dhe se planifikimi për një projekt të saj, një urë e re mbi lumin Danub, po përparon me ritëm tepër të ngadaltë. Bruce Hitchner, profesor universiteti dhe drejtuesi i projektit të marrëveshjes së Daytonit për Paqe, beson se në Ballkan nuk janë dërguar ndihma të mjaftueshme. “Ne kemi investuar së tepërmi në infrastrukturë. Por duket që bashkësia ndërkombëtare nuk ka shfaqur gatishmërinë për të furnizuar me ndihma për projekte në fushën e drejtimit dhe të shoqërisë civile që do të përfundojnë procesin” tha zoti Hitchner. Projekti i Paqes së Daytonit u pat përgatitur në Ohio pas përfundimit të Luftës së Bosnjës. Ndihma e përgjithshme në Ballkan mund t’i kalojë të 11 miliardë dollarët gjatë gjashtë vjetëve të ardhshëm. Disa ekspertë thonë se kjo nuk mjafton. Por të tjerë, duke përmendur rezultatet jo të mira dhe korrupsionin, thonë se rajoni nuk mund të thithë me efektshmëri kaq shumë ndihma. Sam Vaknin është ekonomist në Shkup. “Shumica e parave që janë derdhur në këtë rajon, për shembull, katër miliard dollarët u derdhën në Bosnjë-Hercegovinë, shumica e tyre kanë shkuar dëm, ose për shkak të politikanëve të korruptuar vendorë apo edhe të atyre që kanë për detyrë të mbikqyrin paratë dhe t’i shpenzojnë ato. Kështu që dhuruesit janë fare të vetëdijshëm për këtë pus pa fund,” shprehet analisti. Drejtuesi i Projektit të Daytonit, Hitchner, e pranon se korrupsioni është problem. “Po, ka korrupsion. Por, megjithatë ne shtrojmë pyetjen: meqenëse disa njerëz kanë vjedhur ndihmat dhe ne nuk i kemi kapur, a duhet që t’ua mohojmë rajonit dhe të gjithë qytetarëve ndihmën që është aq e nevojshme?” Ekonomisti Vaknin beson se disa pjesë të rajonit, veçanërisht Kosova dhe Bosnja, janë të varura nga ndihmat. Ai thotë se investimet e huaja janë një rrugë shumë më e mirë se ndihmat dhe se problemi qendron se si ky rajon të bëhet më tërheqës për investime.

“Nuk ka një portofol investimesh në Ballkan. Nuk ka shkëmbime të zhvilluara të aksioneve, tregje kapitalesh apo strategji për daljen nga gjendja. Pra, nuk ka investime të drejtpërdrejta nga jashtë. Dhe po thuajse nuk ka asnjë investim të drejtpërdrejtë nga perëndimi. Shumica e investimeve të drejtpërdrejta vijnë nga vendet e tjera ballkanike. Fatmirësisht për Maqedoninë, ky vend është parësor për investimet e huaja nga Greqia. Bankat greke, bizneset dhe qeveria greke e kuptojnë paqendrueshmërinë e Ballkanit dhe ato nuk ngurojnë për të investuar në Maqedoni,” thotë analisti.

Banka Botërore, e cila bashkë me Paktin e Stabilitetit bashkërendon ndihmën në rajon, bën të ditur se më shumë ndihma kërkohen për të vënë në lëvizje mekanizmin e rritjes ekonomike dhe për të shtuar bazën për investimet e huaja. Të ardhurat mesatare për frymë në këtë rajon ku jetojnë 56 milionë njerëz, janë vetëm 2 200 dollarë në vit, rreth gjysma e nivelit të vendeve ish-komuniste të Evropës Qendrore.

XS
SM
MD
LG