Lidhje

Ndarja e Mitrovicës - 2001-05-31


Forcat paqëruajtëse pohuan sot (31 maj) ekzistencën e propozimit për ndërtimin e katër mureve përreth urës qendrore mbi lumin Ibër që shënon vijën ndarëse të qytetit. Por, ata njëkohësisht hodhën poshtë çdo mundësi për ndryshimin e kufijve të Kosovës.

Një zëdhënës i këtyre forcave, majori britanik Roy Brown tha se “nuk bëhet fjalë për ndërtimin e ndonjë muri ndarës, por fjala është për një propozim për ndërtimin e një mburoje përreth kësaj ure. Qëllimi kryesor i kësaj mburoje do të ishte kontrolli më i lehtë i situatës në rast të shpërthimit të trazirave çfarë janë parë edhe më herët në këtë zonë. Ky është vetëm një propozim dhe jo një plan përfundimtar i forcave paqërujatëse që kontrollojnë sektorin verior dhe se vendimi përfundimtar u mbetet autoriteteve të pushtetit civil nëse do të miratojnë apo jo një propozim të tillë.”-tha zëdhënsi i KFOR-it Roy Brown.

Edhe zëdhënësja e misionit të Kombeve të Bashkuara, Suzan Manuel hodhi poshtë mundësinë që një propozim i tillë të ketë për synim thellimin e ndarjes së qytetit të Mitrovicës. “Çfarëdoqoftë, ky nuk do të jetë mur i Berlinit.”- tha zëdhënësja e UNMIKU-t Suzan Manuel. Mirëpo autoritetet kanë pranuar se ndërtimi i mureve mund të nxisë reagime të ashpra për shkak të ndjeshmërisë së çështjes së Mitrovicës e cila vazhdon të jetë e ndarë edhe dy vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë. Përfaqësuesit politik të shqiptarëve kanë kërkuar shpjegime të hollësishme rreth kësaj ideje e cila sipas tyre vetëm sa do të thellonte ndarjen e qytetit dhe do të ashpërsonte marrëdhëniet edhe ashtu të brishta ndëretnike.

Zbatimi i modeleve të tilla, sipas përfaqësuesve shqiptarë, do të mund të nxiste trazira të reja edhe në vendbanimet e tjera ku pjestarët e komunitetit serbë paraqesin shumicën e popullatës. Në vend të mureve, pohojnë ata, autoritetet ndërkombëtare duhet të angazhohen për zbatimin e projekteve të deritashme për bashkimin e qytetit të Mitrovicës dhe krijimin e një mjedisi të sigurtë për të gjithë banorët e këtij qyteti por edhe mbarë Kosovës.

XS
SM
MD
LG