Lidhje

Propozime të Maqedonisë për zgjidhjen e konfliktit - 2001-05-31


Sot (31 maj) në fshatrat e komunës së Likovës në veri të Maqedonisë ka qenë më qetë deri në orët e pasditës, mirëpo granatimet e fshatrave shqiptare Sllupçan, Hotël, Orizarë përsëri kanë filluar nga ora 15:00. Një banor i fshatit Likovë i cili nuk dëshiron të identifikohet për shkaqe sigurie, tha me telefon për Zërin e Amerikës se sot nuk ka ardhur në fshat asnjë organizatë humanitare për të shëpërndarë ndonjë ndihmë:

"Dje ka pasur tentime për të depërtuar Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe OSBE-ja në këto treva, mirëpo nga pushteti maqedon janë shpallur tre korridore për largimin e popullatës, ndërsa përgjigjet kanë qenë negative nga popullata e këtyre trevave. Asnjë person nuk është drejtuar nga Kumanova për tu evakuuar, siç ka kërkuar pushteti maqedon."

Mendohet se vetëm në fshatin Likovë mund të jenë rreth 15.000 njerëz; shumë prej tyre të ardhur nga fshatrat të tjerë të kësaj komune. Kryetari i komunës Husamedin Halili i ka akuzuar trupat qeveritare maqedone për vjedhje dhe plaçkitje të pasurisë së banorëve shqiptarë të cilët janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë lajmëruar për shkelje brutale të të drejtave njerëzore dhe keqtrajtime të popullatës civile të fshatrave të Kumanovës.

Presidenti maqedon Boris Trajkovski ka ndërkaq një plan për dhënien fund të konfliktit. Në një letër dërguar sekretarit të përgjithshëm të Natos George Robertson ai propozon çarmatimin e UÇK-së nën mbikqyerjen e OSBE-së, largimin e tyre nga Maqedonia dhe si fazë të dytë propozon amnistinë për një numër guerilësh shqiptarë të cilët, siç shkruan zoti Trajkovski, nuk kanë kryer krime.

Kryeministri maqedonas Lubço Georgievski ka theksuar mbrëmë se brenda tre muajsh duhet të realizohen kërkesat themelore të shqiptarëve, ashtu siç qëndron në agjendën e bisedimeve dhe ashtu siç kërkon komuniteti ndërkombëtar. Kryeministri Georgievski tha se me zotin Branko Cërvenkovski të Lidhjes Social Demokrate janë marrë vesh për ndryshimin e kushtetutës dhe heqjen eventuale të hyrjes së kushtetutës. Zoti Georgievski tha se gjuha shqipe mund të bëhet gjuhë e dytë zyrtare në vend dhe shqiptarët të ngriten në element kushtetues të Maqedonisë.

Megjithatë ai ia hodhi fajin zotit Cërvenkovski për pengimin e masave ushtarake për të luftuar më ashpër, siç tha, terroristët shqiptarë. Nga ana tjetër, harta e re për ndryshim kufijsh dhe shkëmbim popullatash propozuar nga akademia maqedonase e shkencave dhe arteve që vjen mu në vlugun e konfliktit të armatosur ka hasur në kritika dhe kundërshtime të shumta si nga shqiptarët po ashtu edhe një pjesë e madhe e maqedonëve. Sipas hartës së akademisë maqedonase më shumë se gjysma e popullatës shqiptare në Maqedoni do të duhej të shpërngulet; Maqedonia të marrë rajonet e liqeneve të Ohrit dhe të Prespës, natyrisht me Pogradecin dhe vendbanimet tjera të kësaj zone, ndërsa Shqipërisë ti jepte qytetin e Dibrës, Gostivarin pa Mavrovën e Rekën; si dhe Tetovën me fshatrat e Pollogut.

Propozimi i Akademisë është quajtur ide fashiste dhe ftesë për luftë të përgjakshmke. Partitë shqiptare por edhe disa maqedone si dhe intelektualë të pavarur e konsiderojnë këtë si një ide të çmendur.

XS
SM
MD
LG