Lidhje

Intervistë me Ndihmës Zv/ Sekretarin Amerikan të Shtetit për Evropën - 2001-06-01


VOA: Qeveria e Maqedonisë njoftoi disa nisma të reja për zgjidhjen e krizës në vend, siç ishte propozimi i presidentit Trajkovski për një amnisti të kufizuar dhe ndryshime në kushtetutë. A keni ju ndonjë hollësi tjetër nga këto plane?

J.Swigert: Siç e dini sapo u ktheva nga Evropa dhe nga dy ndalesa në Maqedoni. Sapo u ktheva mbrëmë në mesnatë me sekretarin Powell nga takimet e Natos dhe takimet e tjera në Budapest dhe plani që përmendni ju është i panjohur për mua. Do t’i kthehem kësaj pas pak. Por le të theksoj fillimisht disa gjëra nga takimet ndërkombëtare që patëm në Budapest dhe gjatë qëndrimit tim në Maqedoni me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian Havier Solana. Në Maqedoni u arrit një përparim i madh gjatë kësaj jave me masat që u morrën nga 4 partitë e koalicionit qeveritar që ranë dakort për rrugën që do të ndjekin dhe që theksuan se marrëveshja e të ashtuquajturit dokument të Prizrenit nuk është më e vlefshme. Vëmendja nga të gjithë tani duhet të përqëndrohet tek bashkëpunimi brenda koalicionit qeveritar, tek dialogu ndërpartiak që zhvillohet nën drejtimin e presidentit Trajkovski, për të zgjidhur krizën, për të gjetur zgjidhje politike për mosmarrëveshjet midis dy komuniteteve etnike. Diskutimet janë të vështira, tensioni politik në Maqedoni ishte i lartë por të gjithë udhëheqësit politikë ranë dakort se është urgjente për të gjithë që të punojnë së bashku. Përsa i përket planit që përmendët ju, për ato që thonë njoftimet për planin e presidentit Trajkovski, e di se presidenti Trajkovski ka qënë në kontakt me Sekretarin e Përgjithshëm të Natos George Robertson lidhur me mësimet që mund të nxirren për Maqedoninë nga zgjidhja e sukseshme e konfliktit në Serbinë jugore. Shtetet e Bashkuara janë të mendimit se ndërsa situata në Maqedoni është krejt ndryshe nga ajo në Luginën e Preshevës, ka disa elementë nga konflikti në Preshevë që mund të jenë të vlefshëm për zgjidhjen e krizës në Maqedoni.

VOA: Në se do të merret në konsideratë si model plani që u përdor për UÇPMB-në në Preshevë, me këtë organizatë u hapën bisedime. Cili është qëndrimi i Washingtonit, a do të ketë bisedime me UÇK-në në Maqedoni.

J.Swigert: Qëndrimi i qeverisë amerikane është shumë i qartë. Dhe ky nuk është vetëm qëndrimi i Washingtonit, por i gjithë vendeve të Natos dhe të Bashkimit Evropian dhe ajo u tha qartë në deklaratën e Budapestit se nuk do të ketë bisedime me ata që ndjekin rrugën e dhunës, me ata që janë ngritur me armë kundër qeverisë së zgjedhur me rrugë demokratike në Maqedoni. Për ta nuk do të ketë vend në tryezën e bisedimeve. Mesazhi për ta nga Budapesti ishte i qartë dhe po e theksoj edhe një herë se ky nuk ishte vetëm qëndrimi i Washingtonit por i gjithë Bashkimit Evropian, i Natos, i vendeve kryesore të Evropës, se ka ardhur koha për ta që të ndalojnë dhunën, të lëshojnë armët dhe të tërhiqen. Po e them edhe një herë se ka disa mësime që mund të nxirren nga mënyra si u trajtua gjendja në Preshevë, për mënyrën si u trajtuan personat e armatosur në Serbinë jugore kur lëshuan armët dhe kjo është diçka që i intereson qeverisë së Maqedonisë dhe unë pres që të ketë bisedime midis Natos dhe qeverisë së Shkupit për këtë.

VOA: Në se UÇK-ja heq dorë nga armët, a do të kenë ata ndonjë rol, ose si mund të riintegrohen në shoqërinë e Maqedonisë?

J.Swigert: Gjendja në Maqedoni është ndryshe nga gjendja në Serbi. Në Serbi egzistonte një diktaturë për vite të tëra, egzistonte një aparteid kundër shqiptarëve nga regjimi i Millosheviçit. Gjendja e shqiptarëve në Maqedoni ka qënë shumë ndryshe. Kjo është një nga arësyet se përse komuniteti ndërkombëtar reagoi me kaq forcë kundër dhunës së shqiptarëve në Maqedoni. Gjendja në Maqedoni nuk e justifikon në asnjë mënyrë përdorimin e dhunës. Pa dyshim që gjendja e shqiptarëve në Maqedoni është larg së qëni ideale. Ka një numër problemesh që i kanë ngritur prej vitesh udhëheqësit legjitim të shqiptarëve në Maqedoni. Dhe shumë prej tyre nuk janë zgjidhur, prandaj sot egziston një plan bisedimesh midis partive maqedonase dhe partive shqiptare, prandaj u krijua dhe ky koalicion qeveritar. Të gjithë në Maqedoni, të çdo partie qofshin, e dinë se ka ardhur koha për zgjidhjen e këtyre problemeve. Por kjo nuk justifikon përdorimin e dhunës. Përsëri dua të theksoj se ata kanë zgjedhur rrugën e dhunës, që kanë menduar se kjo është rruga për zgjidhjen e problemeve të tyre politike, do t’u bëja thirrje në emër të Shteteve të Bashkuara dhe në emër të vendeve të Evropës, të Natos dhe të Bashkimit Evropian, të lëshojnë armët dhe të heqin dorë nga dhuna. Ka një rrugë për të ardhmen, drejt realizimit të aspiratave të gjithë qytetarëve të Maqedonisë për integrim në strukturat trans-atlantike. Por kjo është rrugë politike, jo përmes dhunës, granadave, rrëmbimeve dhe akteve terroriste. Rruga drejt së ardhmes është përmes dialogut. Siç e thashë ne jemi të kënaqur që megjithë krizën, megjithë tensionin brenda koalicionit, udhëheqësit e partive treguan guxim dhe kurajo për të ecur përpara dhe për të bashkëpunuar. Dhe në këtë proces ata do të kenë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Dua të theksoj edhe një gjë tjetër. Kjo nuk është një rrugë e lehtë. Problemet janë të njohura prej kohe. Dhuna që ka filluar e vështirëson më shumë zgjidhjen e tyre, prandaj sot arritja e rezultateve në bisedime është bërë tepër urgjente. Ne jemi të inkurajuar nga përpjekjet e presidentit Trajkovski për të arritur rezultate të shpejta. Dhe komuniteti ndërkombëtar pret rezultate pozitive.

VOA: A jeni i shqetësuar se ndarjet etnike në Maqedoni janë thelluar shumë dhe se tashmë është tepër vonë për zgjidhjen e problemeve etnike?

J.Swigert: Po jam i shqetësuar nga ndarjet. Kjo u pa qartë gjatë vizitës që bëra në Shkup në fund të javës së kaluar. Ka mungesë besimi, ka një polarizim etnik, por nuk mendoj se ndarjet janë thelluar aq shumë sa të mos ketë zgjidhje. Ne mendojmë dhe unë kam bindjen nga përvoja personale 10 vjeçare me Ballkanin, se gjendja në Maqedoni ka qënë ndryshe nga ajo në vendet e tjera të ish Jugosllavisë. Ka një sërë arsyesh për të pasur besim se me një udhëheqje të mirë, me angazhim dhe dëshirë për të vazhduar me hapa të tillë kurajozë siç i pamë këtë javë, gjendja mund të zgjidhet. Ajo që duhet tani është vazhdimi i dialogur politik, arritja e rezultateve dhe çtensionimi i situatës në fushën e sigurisë, në fshatrat që mbahen nga e ashtuquajtura UÇK. Edhe një herë do t’u bëja thirrje atyre që kanë zgjedhur rrugën e dhunës për këtë apo atë arsye, se tani është koha të ndalojnë.

VOA: Ditët e fundit Akademia e Shkencave e Maqedonisë bëri të ditur një plan për shkëmbim territoresh me Shqipërinë. Si e komentoni këtë?

J.Swigert: Një plan i tillë më ka habitur. Dihet mirë tashmë se ide të tilla nuk gëzojnë asnjë mbështetje nga shumica e popullsisë së Maqedonisë. Siç e din,i ne këtu në Amerikë bëjmë shumë anketa dhe në procesin tonë politik u kushtojmë atyre shumë vëmendje. Edhe në Maqedoni janë bërë anketa kohët e fundit që tregojnë se shumica si e maqedonasve edhe e shqiptarëve e shohin të ardhme në një shtet shumë-etnik dhe demokratik në Maqedoni. Komuniteti ndërkombëtar e ka bërë më se të qartë se ne mbështesim integritetin territorial të Maqedonisë. Pra nuk duhet të ketë zëra, ose hamendje për ndarjen e territorit qoftë në formë ndryshimesh kufijsh të brendshëm ose vendojse kufijsh të rinj të brendshëm. Për këtë nuk duhet të ketë asnjë dyshim se Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar do ta kundështojnë me forcë.

XS
SM
MD
LG