Lidhje

Nato ofron ndihmë për çarmatimin e luftëtarëve shqiptarë - 2001-06-01


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, George Robertson, ofroi ndihmën e aleancës për të ndihmuar në çarmatimin e luftëtarëve shqiptarë në Maqedoni, në rast se qeveria maqedonase e dëshiron një gjë të tillë. Në rast se Shkupi dëshiron që NATO-ja të ndihmojë në çarmatimin e luftëtarëve shqiptarë, u tha zoti Robertson ministrave të mbrojtjes të aleancës, të mbledhur në Bruksel, aleanca do të jetë e gatshme të përgjigjet.

Më parë, zoti Robertson u bëri thirrje shqiptarëve të armatosur që të dorëzojnë armët, duke thënë se ata nuk kanë mbështetje mes komunitetit ndërkombëtar.

Duke folur para 19 ministrave të mbrojtjes, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, George Robertson, dënoi hapur shtimin e akteve të dhunës në Maqedoni, ku shqiptarë të armatosur vranë 5 ushtarë në pritë.

“Ne shprehim keqardhje për vrasjen e ushtarëve nga luftëtarët shqiptarë si dhe dënojmë veprimet barbare të banditëve të armatosur, që po përdorin frikësimin dhe dhunën në përpjekje për të minuar një demokraci” tha zoti Robertson.

Zoti Robertson tha se luftëtarët shqiptarë mund ta quajnë veten si përkrahës të shqiptarëve vendas, por ai shtoi se ata vetëm se do të krijojnë vuajtje për vete dhe komunitetet e tyre. Ata duhet të dorëzojnë armët, tha zyrtari i lartë i NATO-s, dhe të marin pjesë në proçesin politik.

Zyrtarët e NATO-s thonë se kërcënimi i shpërbërjes së Maqedonisë është shumë më i afërt se sa kërcënimi që Washingtoni shikon nga raketat që mund të hidhen nga vende të paparashikueshme. Megjithatë, tha zoti Robertson, ministrat e dëgjuan me vëmëndje argumentin e zotit Rumsfeld rreth synimeve të Shteteve të Bashkuara lidhur me këtë kërcënim dhe se si duhet parandaluar ai. Zoti Rumbsfeld thotë se Washingtoni është i angazhuar të këshillohet me aleatët e tij rreth kësaj çështjeje.

XS
SM
MD
LG