Lidhje

Maqedoni: Luftime të reja në komunën e Likovës - 2001-06-02


Luftimet e së shtunës në fshatrat e komunës së Likovës janë zhvilluar me intensitete të ndryshme; më të ashpra kanë qenë rreth orës 1 pasdreke. Forcat maqedone kanë granatuar fshatrat Mateç, Hotël dhe Sllupçan. Njoftimet zyrtare maqedone thonë se forcat qeveritare u janë përgjigjur kështu provokimeve të kryengritësve shqiptarë. Zëdhënësi i ushtrisë maqedone, koloneli Bllagoja Markovski thotë se grupeve të armatosura shqiptare u janë shkakuar dëme të mëdha gjatë luftimeve të mbrëmshme dhe u kanë shkatëruar një çerdhe mitralozi dhe dy automjete për bartjen e armatimit dhe municionit.

Ndërkaq, në Tetovë, përkatësisht fshatrat malore të shtunën ka qenë qetë në krahasim me një ditë më parë kur dëgjoheshin detonime të shumta në fshatrat e Sharrit.

Ministri maqedon i mbrojtjes Vllado Buçkovski i ka thënë radios shtetërore se forcat qeveritare disa ditë me radhë po veprojnë për të liruar popullatën civile e cila po mbahet peng ose si mburojë njerëzore nga, siç ka thënë ministri maqedon, terroristët. Sipas tij, forcat maqedone kanë arritur sukses të madh gjatë njëzet ditëve të kaluara duke evakuuar, sipas tij 70% të popullsisë civile. Ministri i mbrojtjes Buçkovski ka akuzuar se guerilët shqiptarë po përpiqen të kontrollojnë një pjesë të territorit të Maqedonisë.

Ai ka shtuar se forcat qeveritare po e mbrojnë popullatën civile e cila siç ka thënë ai, i është nënshtruar keqtrajtimeve, ka pasur raste të vrasjeve dhe përdhunimeve, ka thënë ai duke ngarkuar për këto vepra përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Ministri maqedon ka pranuar se në radhët e forcave të armatosura qeveritare deri tash ka 20 të vrarë, dhe rreth 30 të plagosur më lehtë ose më rëndë.

Ministri Buçkovski ka thënë se morali po bie në radhët e luftëtarëve shqiptarë, të cilët ai i quan terroristë dhe se atyre po u harxhohen mjetet ushtarake dhe municioni.

Ndërkohë, një pjesëtar i Ushtrisë Clirimtare Kombëtare, i njohur me emrin komandant Shpati u përgjigj:

"Do të ishte më e përshtatshme sikur ai (ministri maqedon) të përgjigjej për ushtrinë dhe policinë maqedone, por megjithatë, për të shtatën ditë me radhë, forcat policore ushtarake maqedonase vazhduan sulmet mbi pozicionet tona në fshatin Mateç.

Po sot e kanë përdorur tërë makinerinë luftarake për ta thyer vijën e parë të frontit, por si gjithnjë u tërhoqën me humbje të mëdha. Në radhët tona kemi vetëm një dëshmor të rënë në orët e hershme të mëngjesit. Morali jonë është jashtëzakonisht i lartë."

Komandant Shpati thotë se me viktimën e së shtunës numri i përgjithshëm i luftëtarëve shqiptarë të vrarë arriti në shtatë.

Kryqi i kuq Ndërkombëtar nuk ka mund të hyjë në fshatrat e konfliktit për shkak të luftimeve që po zhvillohen atje.

Sekretari i komunës së Likovës, Nexhati Osmani i cili ndodhet në fshat, duke folur me telefon për Zërin e Amerikës thotë se gjendja humanitare atje është katastrofike. Ai thekson se vëtëm në fshatin Likovë mund të jenë prej 10 mijë deri në 15 mijë banorë të ngujuar dhe po ashtu edhe në fshatin Hotël, banorët nuk kanë lëvizur, thotë ai duke bërë të ditur se askush nga banorët nuk dëshiron të largohet nga shtëpitë e tyre:

"Deri më tani nuk ka ardhur asnjë mjek. Disa herë kemi bërë thirrje që të depërtojnë organizatat humanitare, Mjekët pa Kufij, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, OSBE, UNHCRetj. Mirëpo të gjitha ato kanë qenë të shurdhëra dhe deri më tash popullata nuk ka pranuar asnjë ndihmë. Edhe një herë apeloj te organizmat ndërkombëtare, organizatat e ndryshme humanitare, faktorët politikë shqiptarë qoftë në Maqedoni apo jashtë saj, që të marrin hapa për shpëtimin e kësaj popullate nga kjo katastrofë se me të vërtetë jemi shumë keq."

Në Shkup do të vijë sekretari amerikan i mbrojtjes Donald Rumsfeld brenda javës së ardhme. Ai do të qëndrojë në Shkup në kuadër të një vizite në Ballkan ku do ti vizitojë trupat amerikane të KFOR-it në Kosovë.

XS
SM
MD
LG