Lidhje

Album i ri i grupit Bon Xhovi - 2001-06-04


Grupi i rrokut nga Nju Xhersi, Bon Xhovi, nxorri në shitje albumin e shumëpritur “One wild night: Live 1985-2001”. Disku përfshinte disa versione të këngëve të tyre të famshme si dhe këngë të reja nga albumi i fundit ”Crush”.

Për të krijuar albumin “One Wild Night” Bon Xhovi zgjodhi interpretimet live më të preferuara të tij gjatë këtyre 17 vjetëve, të regjistruara në Amerikë, Kanada, Zvicër, Afrikën e Jugut dhe Britaninë e Madhe. Këngëtari kryesor, Xhon Bon Xhovi u shpreh se ky album ishte më shumë një paraqitje e nivelit të grupit në koncerte, sesa një përmbledhje e këngëve më të mira. Dëgjuesit do të njihen me trasformimin e tyre nga një grup i ri dhe i uritur për sukses në një grup muzikantësh të zotë për të shitur albume dhe koncerte rreth botës.

Rritur në një lagj punëtorësh, në qendër të Nju Xhersit, Bon Xhovi e krijoi reputacionin e tij me këngë prekëse, dhe me një muzikë të bazuar tërësisht në kitare. Këngët e dashurisë si “Thank you for Loving me” dhe “Something to Believe in” përzjenë naivitetin e tyre me një spërkatje realiteti. Këngë si “Livin’ on a prayer” dhe “Keep the faith” përmbajnë mesazhe shprese në kohë të vështira, ndërsa “It’s my life” kremton shpirtin e individit dhe pavarësinë e tij.

“One wild night” paraqet energjinë e grupit Bon Xhovi, dhe vërteton pse grupi ka shitur më shumë se 100 milione albume nëpër botë.

Bon Xhovi përfundoi një numër koncertesh në Amerikë, dhe do të niset për në Evropë përpara një mbylljeje të shkëlqyer nga fundi i korrikut, në Stadiumin e Gjigandëve të vendit të lindjes së grupit, Nju Xhersi. Nëpermjet faqes së internetit të Bon Xhovit, dashamirësit mund të shohin një raport javor nëpermjet një video nga Xhoni, Richi, Tiko dhe Dejv gjatë turneut të tyre botëror. Xhon Bon Xhovi kohët e fundit u ftua në diplomimin e maturës së Universitetit të Monmouth, ku dha një fjalim dhe gjithashtu mori një titull nderi. “One wild night” përfshin dy këngë të përpunuara. Njëra quhet “I don’t like Mondays”, një sukses i vitit 1980 nga Boomtown Rats. Kënga tjetër është nga Neil Young “Rockin’ In the Free World”, e cila u këndua në Johannesburg të Afrikës së Jugut, mbas lirimit të Nelson Mandelës.

XS
SM
MD
LG