Lidhje

Paraliza dhe diabeti - 2001-06-04


Paraliza godit rreth 4 veta për çdo një mijë njerëz. Ajo është shkaku i tretë kryesor i vdekjeve në shumicën e vendeve të zhvilluara dhe shkaku kryesor i paaftësisë fizike tek të rriturit. Megjithatë mjeku Thomas DeGraba, i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, thotë se një numër fare i vogël të rriturish janë të vetëdijshëm për simptomat e paralizës.

“Shenjat dhe simtomat e një paralize janë një shfaqje e papritur e dobësisë ose mpirjes së një pjese të trupit; humbje e menjëhershme e të parit në njërin apo të dy sytë; vështirësi e papritur në të folur; humbje e menjëhershme e ekuilibrit; si edhe fillimi i menjëhershëm i dhimbjeve të forta të kokës. Të gjitha këto mund të jenë shenja paralajmëruese të paralizës” shpjegon mjeku.

Doktor DeGraba thotë se kur një person goditet nga paraliza, ka ilaçe, përdorimi i të cilave mund të çojë në shërimin e plotë të pacientit. Por këto ilaçe duhen marrë pa vonesë. Prandaj është shumë e rëndësishme që njerëzit t’i kuptojnë shenjat e një paralize, në mënyrë që të mund të shkojnë menjëherë tek mjeku. Doktor DeGraba thotë se diçka që të ngatërron në rastin e paralizave është fakti se ato nuk shkaktojnë dhimbje asnjëherë.

“Një nga arsyet më të rëndomta që i sjell njerëzit në dhomën e urgjencës, thotë ai, është dhimbja. Goditja në zemër është pak më e lehtë. Pacienti ka shtypje në gjoks, djersin, mund t’i vijë për të vjellë. Ky është një problem pak më i lehtë për t’u njohur. Por për shumë njerëz nuk përbën problem një dobësim i dorës, apo ndonjë vështirësi e të pamit që nuk shoqërohet me dhimbje. Sepse njerëzit mendojnë që kur nuk ka dhimbje, nuk ka arsye për t’u shqetësuar. Por në fakt, vazhdon doktor DeGraba, shumë goditje dhe shumica e goditjeve iskemike rrallëherë shoqërohen me dhimbje të forta koke. Shumica e tyre nuk shoqërohen fare me dhimbje koke, ose shoqërohen me dhimbje koke shumë të lehta.”

Sipas doktorit Thomas DeGraba, faktorë të rrezikshëm për goditjen janë: hipertensioni, diabeti, duhani dhe niveli i lartë i kolesterolit. Duke mjekuar këta faktorë, mund të pakësohen së tepërmi mundësitë e goditjes.

DIABETI Njerëzit që vuajnë nga diabeti ka më shumë të ngjarë të vuajnë nga depresioni, sesa ata që nuk vuajnë nga kjo sëmundje. Veç kësaj diabetikët që vuajnë nga depresioni e kanë më të vështirë të mbajnë nën kontroll nivelin e sheqerit në gjak. Ky problem është më i theksuar kur diabetiku është një grua shtatzënë. Mjekët janë të shqetësuar se të moskontrolluarit siç duhet i pranisë së sheqerit në gjak mund të dëmtojë embrionin e një gruaje diabetike. Për këtë arsye punonjësit shkencorë në Universitetin Washington, në St. Louis të shtetit Missouri, po përpiqen të përcaktojnë në se mund t’u vijnë në ndihmë grave shtatzëna diabetike për të kontrolluar nivelin e sheqerit në gjakun e tyre, duke kuruar depresionin, nga i cili vuan një e katërta e tyre.

Profesori i psikologjisë i universitetit Washington, Patrick Lustman, shpjegon: “Mjekimi i depresionit duhet të përmirësojë zbatimin e një regjimi mjekësor, gjë që do të bënte të mundur një kontroll më të mirë të sheqerit në gjak dhe teorikisht do të çonte në një rezultat më të mirë të shtatzanisë.”

Doktor Patrick Lustman është duke studiuar si gratë shtatzëna të diagnostikuara tashmë me diabet, edhe gratë e sëmura nga diabeti gjatë shtatzanisë. Ai thotë se mjekimi i zakonshëm për depresion me barna që luftojnë depresionin, në përgjithësi nuk është i përshtatshëm për gratë shtatzëna. Prandaj ai dhe kolegët e tij janë duke praktikuar me pacientet e tyre psikoterapinë. Ata po përpiqen të tërheqin në studimin që po kryejnë gra shtatzëna diabetike, që vuajnë nga depresioni, sa më shpejt që është e mundur gjatë periudhës së shtatzanisë.

“Kështu që përmirësimi i gjendjes së tyre shpirtërore, vë në dukje doktori Lustman, të ketë kohë të ndikojë në kontrollin e sheqerit në gjakun e tyre, ta përmirësojë atë dhe ta ruajë përmirësimin e arritur edhe gjatë termujorit të dytë e të tretë të barrës, në mënyrë që rezultati i lindjes të jetë sa më i mirë. Por, shton ai, ne e ndjekim ecurinë e gjendjes së pacientëve edhe një vit më pas, sepse jemi të interesuar të mësojmë në se gjendja shpirtërore dhe diabeti ndikojnë në zhvillimin e foshnjes.”

Doktori Lustman thotë se meqë depresioni është kaq i zakonshëm tek nënat e ardhshme me diabet, duke mësuar si ta kontrollojmë atë, mund të pakësojmë problemet e mundshme tek fëmijët pasi ata kanë lindur.

XS
SM
MD
LG