Lidhje

20 vjetori i Sidës - 2001-06-05


Njëzet vjet më parë, zyrtarët amerikanë paralajmëruan botën mbi një infeksion të ri që më vonë filloi të njihej me emrin SIDA. Edhe pse sëmundja është shumë më pak e përhapur në Shtetet e Bashkuara se sa në vendet në zhvillim, sëmundja megjithatë prek kryesisht të varfërit. Zbulimi i sëmundjes në fillim u bë heshturazi. Më 5 qershor të vitit 1981, qendra amerikane për kontrollin e sëmundjeve përshkroi një sëmundje misterioze në rradhët e pesë meshkujve homoseksualë në Los Angjelos. Atë kohë, mjekja Martha Rogers sapo kishte filluar punën në selinë e qendrës në Atlanta. “Natyrisht, unë mendoja se ne do të zbulojmë shkaqet e kësaj sëmundjeje dhe do të mund ta eliminojmë. Ne sapo kishim filluar punën dhe asnjërit prej nesh nuk i shkonte ndërmend se çfarë na priste dekadat e ardhshme, ne, gjithë botën dhe njerëzit që infektoheshin nga kjo sëmundje” shpjegon mjekja. Virusi HIV, që shkakton sëmundjen e SIDË-s ka shkaktuar vdekjen e 22 milion njerëzve në gjithë botën. Rreth 36 milion njerëz janë të prekur nga ky virus, ndërkohë që 13 milion fëmijë kanë humbur prindërit e tyre për shkak të sëmundjës. Njëzet vite pas zbulimit, drejtori i shërbimit amerikan të shëndetësisë, mjeku David Satcher e quan këtë përvjetor solemn. “Kjo mund të jetë përhapja më e tmerrshme e ndonjë sëmundje ngjitëse në botë, që ka prekur tashmë rreth 60 milion njerëz në gjithë botën” tha zoti Satcher. Vendet e zhvilluara natyrisht kanë kaluar më mirë për shkak të mundësive të mëdha që kanë për të prodhuar ilaçe, dhe për të shtuar veprimet parandaluese kundër HIV-it. Numri i infeksioneve në Amerikë ka rënë nga 150 mijë raste në vit sa ishin më 1990 në gjithsej 40 mijë raste këtë vit. Numri i njerëzve të prekur me HIV në Shtetet e Bashkuara është rreth një e dhjeta e një përqind të popullsisë, që është një shifër shumë e vogël krahasuar me rreth 20 përqind të popullsisë të infektuar në Afrikën Jugore dhe atë lindore.

Mirëpo, edhe pse shifrat mund të dallojnë, Shtetet e Bashkuara dhe vendet në zhvillim përballen me të njëjtin problem - faktin se sëmundja ende është a pashërueshme. Ka edhe një ngjashmëri tjetër - dhe ajo është prania e sëmundje së SIDË-s kryesisht tek njerëzit e varfër. Mjeku Satcher thotë se ka kaluar koha kur sëmundja e SIDË-s në Shtetet e Bashkuara ishte e përqendruar vetëm tek homoseksualët e bardhë dhe ata që përdorin drogën në mënyrë intravenoze. “Është interesante të shikohet se çka ka ngjarë nëpër botë, ku vërehet se kjo sëmundje po prek gjithnjë e më shumë shtresat më të varfëra të popullsisë. Në Amerikë, rastet më të reja vijnë pikërisht nga komunitetet që janë lënë më së shumti në harresë” shpjegon mjeku. Të dhënat që ka bërë publike qeveria amerikane dëshmojnë se shkalla e infeksione ka shënuar rritje në rradhët e pakicave që nga viti 1996, sidomos mes afrikano-amerikanëve. Mjeku John Ward nga qendra për kontrollin e sëmundjeve thotë se dy sondazhe të fundit dëshmojnë se rritja e shifrave të të sëmurëve në rradhët e zezakëve është pasojë e infeksioneve gjithnjë në rritje mes meshkujve homoseksual nëpër qytete. “Rezultatet e para nxjerrin në pah se prania e virusit HIV ishte e madhe. Gati një në çdo tre homoseksualë afrikano amerikan që mori pjesë në studim ishte i prekur me virusin HIV. Kurse rezultatet përfundimtare dëshmojnë se mbi një në çdo shtatë persona infektohen çdo vit. Kjo përqindje është mbi pesë herë më e madhe se sa ajo në mesin e të bardhëve, apo katër herë më e madhe se sa në rradhën e latino-amerikanëve” shpjegon mjeku. Në të njëjtën kohë, shkalla e përgjithshme e homoseksualëve të sëmur nga SIDA në Amerikë - edhe pse më e ulët se sa ajo në rradhët e afrikano-amerikanëve - është në rritje e sipër. Kjo shkallë tani qëndron në raport 1 me 20 ndaj shkallës së sëmundjes në vendet e Afrikës nën-sahariane nga fillimi i viteve të 90-ta.

Këto prirje dhe faktorë të tjerë siç janë qëndrueshmëria gjithnjë në rritje e HIV virusit ndaj ilaçeve e bëjnë drejtoreshën e qendrës kombëtare amerikane për parandalimin e HIV-it, Helene Gayle që të mendojë se Amerikën e pret një rritje e shkallës së infektimit, pas gjithë këtyre viteve të rënies. “Ne po vërejmë një ngadalësim në rëniet e shifrave dhe kjo është shqetësuese. Kështu që ne duhet të vazhdojmë përpjekjet tona për të gjetur rrugë më të mira dhe terapi më të mira, mirëpo në fund përgjigja e vetme është që t’i parandalojmë rastet e infektimit” thotë mjekja. Ky është një mësim që nuk ka pësuar ndonjë ndryshim për 20 vjet me rradhë.

XS
SM
MD
LG