Lidhje

Intervistë me  ambasadorin William Walker - 2001-06-05


VOA: Zoti Ambasador propozimi juaj për zgjidhjen e krizës në Maqedoni, i paraqitur në një artikull për gazetën The Washington Post para disa ditësh, ndryshon rrënjësisht nga qëndrimi i komunitetit ndërkombëtar. Cilat janë propozimet tuaja për zgjidhjen e krizës?

W. WALKER: Propozimi kryesor ishte që të gjitha palët në Maqedoni të bisedojnë, jo vetëm partitë e koalicionit, por përfaqësues të gjithë sektorëve, përfshirë edhe ata që kanë marrë armët në duar, anëtarët e UÇK-së. Në se nuk bisedohet me të gjitha palët do të jetë vështirë të arrihet një zgjidhje e pranueshme nga të gjithë. Pra ky ishte thelbi i artikullit. Në të unë po ashtu hidhja një propozim të ri, që për Maqedoninë të organizohet një konferencë si ajo e Dejtonit, ku të gjitha palët të mblidhen diku, ndoshta në Amerikë, ndoshta në rajon, si hap i parë për bisedime.

VOA: Ju jeni për hapjen e dialogut politik me UÇK-në. Edhe ambasadori Frowick u përpoq për një nismë të tillë por u kritikua ashpër jo vetëm nga Maqedonia por edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Përse po shohim një qëndrim kaq të ashpër për të mos përfshirë UÇK-në në bisedime?

W. WALKER: Ndoshta për një pjesë të komunitetit ndërkombëtar erdhi si e papritur përpjekja e ambasadorit Frowick për të përfshirë në bisedime UÇK-në. Unë vetë nuk e prisja që kritikat ndaj ambasdadorit Frowick të ishin kaq të ashpra. Ndoshta vendet evropiane kanë dyshime për çështjen shqiptare, ose për shqiptarët në Maqedoni, ndoshta ishte një ndjenjë e tyre që diçka nuk shkonte me këtë takim dhe prandaj reaguan në formë të tillë kaq të ashpër për një nismë, që unë mendoj se duhej përgëzuar, pasi dikush po përpiqej të nxirrte UÇK-në nga bunkeri dhe të bisedonte me ta.

VOA: Në rast se UÇK-ja nuk përfshihet në bisedime, çfarë zgjidhje mund të arrihet për krizën në Maqedoni? W.WALKER: Nuk mendoj se kriza mund të zgjidhet pa përfshirjen e tyre në bisedime. Unë kam shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Salvador në përfundim të një dekade luftrash nga një grup guerrilas atje. Shtetet e Bashkuara në atë kohë ishin në të njejtën pozitë që është sot qeveria e Maqedonisë, pra që nuk pranonin bisedime me grupin guerrilas nga frika se bisedimet do ta legjitimonin këtë grup dhe po ashtu egzistonte mendimi se ushtria e Salvadorit do ta mundte këtë grup. Na u deshën 10 vjet në atë kohë të mësojmë se zgjidhja e problemit nuk mund të ishte ushtarak. Edhe për Maqedoninë unë nuk shoh ndonjë zgjidhje ushtarake. As UÇK-ja nuk mund të përmbysë qeverinë, as qeveria nuk mund eliminojë UÇK-në dhe atë që është pas saj. Ata luftojnë për një kauzë, kanë mbështetje në popull dhe në se qeveria vazhdon të bombardojë fshatrat, mbështetja për UÇK-në do të shtohet. Pra UÇK-ja duhet përfshirë në bisedime dhe sa më shpejt që ta kuptojë këtë qeveria e Maqedonisë aq më mirë, ndryshe situata do të vazhdojë të keqësohet.

VOA: A keni besim se qeveria e tanishme e unitetit kombëtar në Maqedoni do të jetë në gjendje t’i japë fund krizës? W.WALKER: Mundësia egziston. Krijimi i koalicionit qeveritar, përfshirja e partive shqiptare në të pa dyshim është një hap në drejtimin e duhur. Por unë kam frikë se qeveria do të bëjë njoftime pas njoftimi për reforma por pa i zbatuar ato. Në se komuniteti shqiptar pret reforma dhe ato nuk realizohen, kjo do ta keqësonte gjendjen më tej. Pra mendoj se ideja e një koalicioni të gjerë është e mirë, por rëndësi ka fillimi i zbatimit të reformave, për një barazi të plotë të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

VOA: A po luajnë Shtetet e Bashkuara rolin e duhur në rajon, apo duhet të angazhohen më seriozisht për krizën në Maqedoni?

W.WALKER:Shtetet e Bashkuara pa dyshim që janë të shqetësuara për rajonin e Ballkanit, nga ajo që po ndodh në Maqedoni, Kosovë dhe në Serbinë jugore. Vullneti egziston për të gjetur një zgjidhje, por ajo që më shqetëson është se disa propozime që janë hedhur për të gjetur një zgjidhje, si përfshirja e UÇK-së në bisedime, deri tani nuk po shqyrtohen. Do të shpresoja që qeveria ime, për të cilën unë kam shërbyer 40 vjet, do të marrë si shembull, Vietnamin, Salvadorin, Irlandën e Veriut, Lindjen e Mesme për të kuptuar se kur një segment i madh i popullsisë e ndjen veten të trajtuar si qytetarë të dorës së dytë, problemet nuk zgjidhen në se me ta nuk zhvillohen bisedime. Dhe kjo nuk po bëhet për momentin.

XS
SM
MD
LG