Lidhje

Kosovë: diskutohet kthimi i të zhvendosurve - 2001-06-06


Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë kanë deklaruar se kthimi i të zhvendosurve është e drejtë e natyrshme dhe e një rëndësie të posaçme për të ardhmen e Kosovës dhe për këtë arsye ata kanë kërkuar mbështetjen e përfaqësuesve politik por edhe të qytetarëve të saj.

Nga ana e tyre përfaqësuesit shqiptarë në Këshillin Kalimtar të Kosovës thanë sot se parimisht pajtohen me kthimin e të gjithë qytetarëve të zhvendosur nga Kosova por për këtë duhet të krijohen parakushtet themelore. Kolë Berisha nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se qëndrimi i partisë së tij por edhe të gjithë përfaqësuesve shqiptarë është që të pranohet kthimi i të zhvendosurëve por ai të mos jetë i parakohshëm. Zoti Berisha pohoi se përshpejtimi i këtij procesi mund të paraqesë ngarkesë për shkallën e zhvillimit ekonomik dhe politik të Kosovës.

Ndërkaq Fatmir Limaj, sekretar për mardhëniet publike i Partisë Demokratike theksoi se riatdhësimi i personave të zhvendosur është e drejtë e natyrshme e çdo njeriu. Mirëpo, për format e kthimit sipas zotit Limaj kërkohet hartimi i një strategjie të veçantë e cila do të ishte njëkohësisht një përgjigjje për shqetësimet e shqiptarëve se bashkë me të zhvendosurit mund të ndodhë edhe kthimi i atyre që janë përfshirë në krime lufte.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar ndërkaq që korniza për kthimin e të zhvendosurëve të mos pranohet për shkak të mungesës së kushteve elementare, deklaroi sot pas mbledhjes së këshillit kalimtar përfaqësuesi i kësaj partie Muhamet Kelmendi. Sipas tij kthimi duhet të bëhet pas zgjedhjeve të përgjithshme të 17 nëntorit, kur do të jenë institucionet e Kosovës, ato që do të vendosin për këtë kthim. Kjo parti ka kërkuar gjithashtu nga Këshilli i Përkohshëm Administrativ që të punohet për integrimin e të gjitha pakicave kombëtare si dhe t’i jepet fund ekzistimit të enklavave nëpër Kosovë. Zoti Kelmendi nënvizoi se partija e tij e sheh të panevoshme kthimin e të zhvendosurve serbë meqë sipas tij në radhë të parë ende nuk egzistojnë kushtet e sigurisë. Ai tha se çdo përpjekje për një kthim masiv të të zhvendosurve pa pajtimin e shqiptarëve dhe forcimin e enklavave, mund të dëmtojë rëndë marrëdhëniet ndëretnike që mund të çojnë deri tek një luftë e ashpër ndërnacionale.

Mirëpo autoritetet ndërkombëtare kanë hedhur poshtë njoftimet sipas të cilave planifikohet kthimi i rreth 170 mijë serbëve në Kosovë, duke pohuar se nuk është përcaktuar asnjë shifër e mundshme e personave që duhet të kthehen në Kosovë.

XS
SM
MD
LG